Tensionet në Lindjen e mesme kanë trazuar qëndrueshmërinë ekonomike globale, dhe nuk bën përjashtim as Shqipëria. Shefi i Bankës Botërore për Shqipërinë Massimiliano Paolucci tha se lufta në Iran ka zbehur pritshmëritë pozitive të rritjes ekonomike për dy vitet e ardhshme.
"Jemi duke lundruar në një mjedis sfidues, dhe aktiviteti ekonomik në gjithë rajonin pritet te mbetet i dobët 2026-2028, pasi efektet e konfliktit në Iran, dhe pasiguritë vijojnë të ushtrojnë presion mbi besimin. Nëse konfliktet në lindjen e mesme vijojnë çmimet e energjisë mund të mbeten të lartë dhe të rrezikojnë buxhetet familjare.", tha Massimiliano Paolucci.
Për shkak të pasigurisë dhe frikës për një krizë çmimesh në aspektin energjetik, që më tej rrezikon të përcillet në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit, Banka Botërore ka ulur me të paktën 0.5 pikë përqindje parashikimet e saj për Shqipërinë.
"Ne presim rritje ekonomike 3.4%, dhe është 0.5% me pak se pritshmëria e parë, e lidhur me konfliktet ndërkombëtare. Kjo lidhet dhe me pjesën e ndryshimit të çmimeve të energjisë, të çmimeve të ndryshme dhe ka për të pasur ndikim edhe tek konsumi ", tha ekonomistja e lartë e BB Angella Faith Montfaucon.
Edhe në këtë raport ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, vihet theksi tek sfida demografike dhe plakja e popullsisë. Kërkohen reforma në përputhje edhe me standardet e BE-së, të cilat mund të rrisë produktivitetin, pasi mungesa e fuqisë punëtore dhe pjesëmarrja e ulët në tregun e punës mbeten ndër sfidat kryesore për rajonin.
Shqipëria vlerëson Banka Botërore mbetet një ndër vendet e rajonit me emigrimin më të lartë për frymë.
"Shqipëria i ka njerëzit, talentin dhe ambicien, masa reale e suksesit është nëse çdo reformë çdo vend pune i krijuar, çdo pengesë e hequr, çdo i ri i jepet një arsye për të qëndruar dhe këto kthehen në një ekonomi që funksionin për të gjithë", tha Paolucci.
Gjatë vitit 2025, sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare tregoi qëndrueshmëri, e mbështetur nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, veçanërisht turizmi.
Komente








