Në këtë debat është përfshirë ditën e djeshme edhe Banka Botërore, e cila, në fakt, ka financiar prej vitesh projektin që zbaton qeveria shqiptare për ndihmën sociale për më të varfërit.
Sa më poshtë, vijon deklarata e Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri:
“Ditët e fundit kemi vërejtur me shqetësim disa raportime të pasakta, të publikuara në media, në lidhje me Projektin e Modernizimit të Asistencës Sociale në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore.
Objektivi kryesor i këtij projekti është mbështetja e zbatimit të reformave për të përmirësuar barazinë dhe eficiencën e programeve të asistencës sociale në Shqipëri. Ky projekt mbështet përpjekjet e qeverisë për të targetuar në mënyrë më efikase burimet për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përfshirë në Programin e Ndihmës Ekonomike të varfërit që ishin përjashtuar më parë dhe duke pastruar skemën përmes reduktimit të rasteve të mashtrimeve dhe gabimeve. Projekti është hartuar mbështetur në eksperiencën ndërkombëtare, që lidhet me fuqizimin e programeve të asistencës sociale.
Procesi pilot për zbatimin e formulës që përcakton të drejtën për përfshirje në Programin e Ndihmës Ekonomike ka filluar që në vitin 2014 në tre rajone (Tiranë, Durrës dhe Elbasan), të cilët përfshijnë gjysmën e popullsisë së vendit dhe që nga janari i këtij viti po shtrihet në shkallë kombëtare. Ky është një proces i gjatë me përmirësime të vazhdueshme për të shmangur pasaktësitë në targetimin e grupeve të duhura në nevojë.
Progresi i arritur deri tani në zbatimin e projektit është vlerësuar si i kënaqshëm. Rezultatet e arritura tregojnë qartë që projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore. Bazuar në anketimin kombëtar zyrtar të familjeve (Anketimi i Buxhetit të Familjeve) janë shënuar përmirësime në targetimin e programit si p.sh. përqindja e përfitimit të Ndihmës Ekonomike për 10-përqindëshin e grupit të më të varfërve është rritur, nga 34 për qind në vitin 2009 (si viti bazë), në 45 për qind në vitin 2015. Ndërkohë, mbulimi i 10-përqindëshit të grupit me të ardhura më të larta në kategorinë e përfituesve është ulur, si rezultat i kontrolleve dhe inspektimeve më të forta për të shmangur abuzimet. Pritet që mbulimi i përgjithshëm i më të varfërve të rritet, bazuar në të dhënat zyrtare më të fundit.
Projekti i Modernizimit të Asistences Sociale është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe ka nisur zbatimin që prej vitit 2012 nga ministritë përkatëse dhe Shërbimi Social Shtetëror. Banka Botërore ka ndjekur nga afër procesin e zbatimit të tij, duke ofruar këshillim dhe mbështetje të vazhdueshme”.
Këtë deklaratë e ka riprodhuar edhe kryeministri Edi Rama ditën e djeshme në Facebook.
d.gj/ Shqiptarja.com












