Edhe pse ekonomia e vendit po jep shenja rimëkëmbjeje, Banka Botërore ka rishikuar pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Në raportin më të fundit për perspektivën ekonomike globale Banka Botërore e ka ulur parashikimin me 0.7%. Sipas raportit Ekonomia shqiptare këtë vit do të rritet me 4.4%, nga 5.1% që ishte parashikimi në janar. Po ashtu pritshmëritë janë ulur edhe për vitin 2022 me 0.7% dhe është vlerësuar se rritja ekonomike në vitin e ardhshëm do jetë 3.7%, aq sa do jetë edhe në 2023. Ndërsa pritshmëritë e institucioneve në vend janë për rritje ekonomike midis 5 dhe 5.5%.

Sipas Raportit më të fundit Perspektiva Ekonomike globale 2021 #GEP21 ekonomia e Rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore parashikohet të rritet, më fuqishëm se parashikimet, me 3.9% ne 2021, pjesërisht fale edhe përmirësimeve në zonën euro. Megjithatë, e ardhmja paraqitet sfiduese për shkak të përkeqësimeve që lidhen me pandeminë, politikat më shtrënguese makroekonomike dhe pasiguritë politike e tensionet gjeopolitike.

Në raport është theksuar edhe një herë se shtetet që kanë pasur turizmin si sektor kryesor të ekonomisë kanë pasur goditjen më të madhe. Ndërkohë qe edhe shpresat e ringritjes së shpejtë janë po në këtë sektor.

Pritshmëritë për rritjen ekonomike janë ulur vetëm për Shqipërinë nga vendet e Rajonit.

Rritja ekonomike në Rajon sipas Bankës Botërore

Bosnje Hercegovina rritje 2.8%

Kosova 4%

Maqedonia e Veriut 3.6%

Serbia 5%

Mali i Zi 7.1%