Shqipëria renditet e fundit në rajon për sa i përket investimeve në mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore, shkaqe për të cilët kemi dhe një numër shumë të lartë aksidentesh me vdekje.
 
Në Konferencën për standardet e sigurisë rrugore, kreu i misionit të Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed, tha se problem mbetet edhe sjellja e shoferëve në rrugë, një prej faktorëve kyç në numrin shumë të madh të aksidenteve.

Mesatarisht Shqipëria shpenzon 3 mijë euro për mirëmbajtjen e një kilometri rrugë në vit. Ndërkohë që shumë shtete shpenzojnë 5 mijë deri 7 mijë dollarë për kilometër. Në vitin 2009, për 100 mijë lëvizje makinash, ndodhën 100 aksidente me vdekje. Në 2012, numri shkoi në 70. Le ti krahasojmë shifrat me rajonin, qofshin anëtarë të BE-së apo jo. Përqindjen më të mirë e ka Anglia me 4.2% në 100 mijë lëvizje automjetesh, Greqia, 13.8%, Mali i Zi, 41 vdekje për 100 mijë lëvizje, Serbia 32.9%” tha ajo.

Nga ana e tij Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto tha se vitet e fundit janë rritur investimet në këtë drejtim, por problem mbetet përqasja e vetë shqiptarëve ndaj sigurisë rrugore, por edhe dëmtimi i rrugëve e sinjalistikës nga banorët.
 
Ai u bëri thirrje emigrantëve që vijnë për pushime, të sillen ndaj rregullave të qarkullimit, në të njëjtën mënyrë si veprojnë në shtetet ku jetojnë. 

Desha ti bëj një thirrje atyre qytetarëve shqiptarë apo të huaj që do vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet:Sigurisht që sinjalistika ka bërë përparësitë e nevojshme, por ka krijuar idenë se tani që rrugët janë më të mira mund të ecet me çfarë do lloj shpejtësie, ky koncept është i dëmshëm. Unë do iu bëj thirrje që ata të sillen siç sillen në trafikun e vendit ku jetojnë” tha Haxhinasto.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)