Është çelur këtë të hënë java globale e parasë për vitin 2025. Nën sloganin “Ndiq me mençuri, begati në ardhmëri”, edhe këtë vit kryefjalë do të jetë mbrojtja nga keqbërësit dhe vjedhja e llogarive online, që po shtohen bashkë me zhvillimin teknologjik.
“Të gjitha këto zhvillime teknologjike kanë nevojë për një edukim të mirë financiar, jo vetëm në drejtim të përdorimit të sistemeve të pagesave por edhe në drejtim të informacionit për tu mbrojtur nga keqbërësit, dhe për të mos rënë pre e mashtrimeve financiare siç ndodh në të gjithë botën”, tha Sejko.
Në fjalën e tij guvernatori Gent Sejko u përqendrua tek sistemet e pagesave në LEKË dhe EURO brenda vendit dhe përfitimet që kanë marrë qytetarët.

“Banka e Shqipërisë ka krijuar i Sistemit Shqiptar të Pagesave Nderbankare që mundësoi qarkullimin e shpejtë dhe efikas të parasë. Në ditët e sotme, ai proceson një total pagesash rreth 5 herë më të lartë. Kemi krijuar Sistemin e Pagesave me Vlerë të Vogël (AECH) dhe, së fundmi, edhe atë AIPS EURO. Nga ana tjetër, operimi i sistemit AIPS Euro ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten të jenë rreth 100 milionë euro. Kështu, vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë, u janë kursyer konsumatorëve dhe bizneseve përafërsisht 700 milionë lekë, që prej vitit 2020”, pohoi guvernatori.
Bashkë me informacionet që do të marrin të rinjtë në aktivitetet që do të zhvillohen deri më 23 mars, ata do të njihen edhe me historinë e Bankës së Shqipërisë e cila këtë vit kremton edhe 100 vjetorin e saj të krijimit.
Ky është viti i 11-të që Banka e Shqipërisë organizon Javën e Parasë, si një moment për tu njohur me lekun, për ti kushtuar më shumë rëndësi parave, kursimit të tyre, aftësimit financiar si dhe mbrojtjes nga mashtrimet apo vjedhjet online.
SI.E./I.M/Shqiptarja.comKomente

