Banka e Shqipërisë njoftoi sot nisjen e funksionimit të sistemit të pagesave AIPS Euro, që do të procesojë pagesat e klientëve të bankave në euro, brenda vendit. Ky sistem do të sjellë një ulje drastike të komisioneve për transfertat ndërbankare kombëtare në euro. Deri javën e kaluar, transfertat në euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Me sistemin e ri AIPS Euro, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.
Njoftimi i Bankës së Shqipërisë
Sot, në datën 24 janar 2022, filloi të funksionojë sistemi AIPS Euro, i cili proceson pagesat e klientëve të bankave në euro, brenda vendit. Ky projekt disavjeçar i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me sistemin bankar, shënon një arritje tjetër të rëndësishme në zbatim të planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël në Shqipëri.
Arritja e operacionalizimit të sistemit AIPS Euro ndërthur zhvillimin e një game të gjerë masash me natyrë infrastrukturore e rregullative. Në thelb, përmbushja e këtij projekti nxit arritjen e objektivit të krijimit të një tregu modern e gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të tyre, të aftë financiarisht, në të gjithë vendin.
Promovimi i këtij objektivi vlerësohet se do të arrihet përmes një sërë përfitimesh që sjell projekti në tregun shqiptar të pagesave. Në ndryshim nga mënyra joefikase e funksionimit të deritanishëm të tregut nëpërmjet bankave korrespondente jashtë vendit, operimi i Sistemit AIPS Euro iu mundëson qytetarëve shqiptarë kryerjen e pagesave në euro brenda vendit me kosto shumë më të ulët dhe brenda një afati kohor shumë më të shkurtër nga procesi aktual i kryer nëpërmjet bankave korrespondente. Ky projekt vlerësohet të ketë efekte mjaft pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve jo vetëm si rrjedhojë e efikasitetit dhe shpejtësisë që ato ofrojnë, por dhe të kostove ndjeshëm më të ulëta që do të aplikohen nga bankat për transfertat elektronike.
Ulja e komisioneve të aplikuara nga bankat për klientët e tyre do të reflektohet jo vetëm si rrjedhojë e eliminimit të cikleve të tejzgjatura të procesimit të pagesave nëpërmjet bankave korrespondente, por në një masë të konsiderueshme edhe falë politikave të Bankës së Shqipërisë të përcaktimit të kufijve mbi komisionet e aplikuara nga bankat për klientët në mënyrë të ngjashme me politikat e komisioneve të zbatuara për pagesat në Lekë.
Vendimmarrja e rregullimit të komisioneve të aplikuara nga bankat synon balancimin e një sërë objektivash strategjikë të Bankës së Shqipërisë, ku përfshihen nxitja e formalizimit të pagesave në Euro, promovimi i një mënyre më efektive për kryerjen e këtyre pagesave, por njëkohësisht duke i dhënë prioritet pagesave në Lekë, të cilat janë më të lira bazuar në vlerat tavan të vendosura nga Banka e Shqipërisë me qëllim mbështetjen e politikave për deeuroizim të pagesave. Në perspektivën strategjike, ulja e komisioneve dhe krijimi i ekonomisë së shkallës është një domosdoshmëri aktuale për tregun shqiptar në kuadër të integrimit në tregjet e Bashkimit Evropian. Nevoja për ndërhyrje bëhet edhe më domethënëse në kushtet kur edukimi dhe përfshirja e ulët financiare në Shqipëri kërkojnë përpjekje më afatgjata. Në këtë këndvështrim, masat aktuale do t’i ndihmojnë bankat vendase të kenë një qëndrueshmëri në aktivitetin e tyre pavarësisht konkurrencës së shtuar nga hyrja në tregjet evropiane, ku bankat operojnë me komisione shumë të ulëta dhe e garantojnë qëndrueshmërinë e aktivitetit nga ekonomia e shkallës.
Në mënyrë të tërthortë, ky projekt shoqërohet me një sërë faktorësh që ndikojnë mirëqenien individuale të klientit, të bankës dhe ekonomisë në tërësi. Për vetë faktin që pagesat procesohen brenda vendit, në rast të një pasaktësie në procesimin e pagesës, zgjidhja e problematikës do të jetë shumë më e lehtë krahasuar me procesimin nëpërmjet bankave korrespondente, si dhe do të rregullohet në tërësinë e saj nga kuadri ligjor e rregullativ prudencial i mbrojtjes së konsumatorit, i krijuar nga ligji “Për shërbimet e pagesave”. Gjithashtu, ky projekt ka një impakt të gjerë në nivel ekonomik duke përfshirë mbajtjen në ekonominë vendase të komisioneve të konsiderueshme, të cilat përftoheshin nga bankat korrespondente jashtë vendit, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe atij monetar, duke pasur të gjithë mekanizmat e nevojshëm monitorues për sa i përket këtij segmenti të tregut.