Thellimi i bashkëpunimit në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe mbikëqyrjen bankare ishte në fokus të takimit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi me Drejtoren e Qendrës së Ekselencës Financiare (CEF), Jana Repanšek.
CEF është një organizatë ndërkombëtare me seli në Lubjanë të Sllovenisë, e cila mbështet institucionet financiare dhe publike të vendeve të Europës Juglindore përmes programeve të trajnimit, shkëmbimit të ekspertizës dhe zhvillimit profesional.
Gjatë takimit, ku ishte e pranishme edhe menaxherja e CEF-it për Shqipërinë, Robertina Gjoka Vasilieva, palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes Bankës së Shqipërisë dhe organizatës në fushën e ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimit të njohurive.
Drejtorja e CEF-it, Jana Repanšek, vlerësoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë në aktivitetet e institucionit, duke theksuar se gjatë dy viteve të fundit ekspertët dhe punonjësit e bankës kanë regjistruar mbi 55 pjesëmarrje në programet kryesore të organizatës, si në rolin e ekspertëve ashtu edhe si pjesëmarrës.
Sipas saj, kjo tregon përkushtimin e Bankës së Shqipërisë ndaj zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe shkëmbimit të përvojave me institucionet homologe në rajon.
Gjatë bisedimeve u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes bankare. Në këtë kuadër, u vlerësua roli aktiv i Bankës së Shqipërisë në ndarjen e ekspertizës profesionale dhe u shqyrtua mundësia e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta trajnuese dhe shkëmbimit të eksperiencave mes institucioneve të rajonit.
Takimi shërbeu gjithashtu për koordinimin e qëndrimeve përpara Mbledhjes Vjetore të Bordit Drejtues të CEF-it, e cila do të zhvillohet më 22 qershor në Shkup.
Komente








