Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e la të pandryshuar normën bazë të interesit prej 2.5% edhe në mbledhjen e fundit për vitin 2025. Në konferencën për media Guvernatori Gent Sejko tha se ekonomia vijon të jetë në ecuri pozitive.
"Aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në periudhën afatmesme, duke reflektuar rritjen e konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit", tha Sejko.
Teksa bëri një bilanc të vitit 2025, Sejko evidentoi tre zhvillime pozitive me të cilat po përballet ekonomia.
'Së pari, rritja e qëndrueshme e kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit; së dyti, rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe rritja e peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson si hapësirën e veprimit të politikës monetare ashtu edhe stabilitetin financiar të vendit; dhe, së treti, cilësia e qëndrueshme e portofolit, e ilustruar nga niveli i ulët i raportit të kredive me probleme, prej 4.3%", tha guvernatori.
Sa i takon inflacionit, Sejko tha se po ndikohet nga prodhimi vendas pasi inflacioni i importuar është në rënie historike.
"Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026", tha Sejko.
Kursi i këmbimit ka vijuar të jetë sfidues, ndaj Banka i ka shtuar ndërhyrjet në treg për të frenuar rënien e euros edhe me shumë.
"Banka ka vijuar të ruajë një prezencë të lartë në tregun valutor, me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit. Këto ndërhyrje kanë kontribuuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar", tha Sejko.
Si një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit Sejko evidentoi anëtarësimin e vendit në SEPA që i ka bërë shumë herë më të lira dhe me të shpejta transfertat.
Komente








