Kredia konsumatore do i kushtojë më pak xhepit të qytetarëve deri në korrik të këtij viti, pasi Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë tavanin për interesat maksimale që do të aplikohen për këto hua.
Për të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen institucioneve të mikrofinancës por edhe bankave për të marrë kredi konsumatore deri në 200 mijë lekë, interesi maksimal do të jetë afro 54.8%, nga 62.2% që ishte.
Ndërsa interesi maksimal për kreditë nga 200 deri në 600 mijë lekë është 35.4% nga 35.2% që ishte deri në fund të janarit. Në rënie janë edhe interesat për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë interesat do të jenë 14.7%. Kurse ata që marrin mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë do e kenë interesin maksimal 11.94%.
Po ashtu Banka e Shqipërisë u rikujton bankave dhe jo-bankave që duhet të respektojnë rregulloren edhe për penalitetet në rast të mospagesës së kësteve, ku thekson se shuma e penaliteteve nuk mund të kalojë 30% të shumës së kësteve të papaguara.
Vendimi që Banka e Shqipërisë të përcaktojë normën maksimale të interesit u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak se e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë në 2022-shin kur nisi zbatimi i rregullores, norma maksimale e interesit për kreditë deri 200 mijë lekë arrinte në 171.41%.
Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan për kredinë e marrë (si p.sh. norma e interesit, komisionet e ndryshme, kosto e mbajtjes së një llogarie nëse është e detyrueshme për të marrë kredinë, primi i sigurimit që paguan kredimarrësi, etj).
Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë i propozoi Ministrisë së Ekonomisë që në ligjin e ri për ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ të caktohej edhe një tavan për interesat për kreditë konsumatore.
Komente










