Partia e Lirisë doli këtë të diel me një seri propozimesh për përballimin e rritjes së çmimeve, duke kërkuar uljen e TVSH-së për produktet bazë të shportës nga 20% në 5% dhe heqjen e taksave mbi naftën. Në një deklaratë për mediat, Brunilda Haxhiu tha se familjet shqiptare po përballen me kosto të larta jetese, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk ka marrë masa për të frenuar shtrenjtimin e ushqimeve dhe karburanteve.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, Haxhiu, tha se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 3.2% në terma vjetorë, kundrejt 0.6% në mesataren e Bashkimit Europian. Sipas saj, vendet e rajonit kanë ndërhyrë për të mbrojtur konsumatorët, ndërsa në Shqipëri duhet të miratohet paketa e propozuar nga Partia e Lirisë për të lehtësuar barrën financiare të familjeve.

"Sot, ndërsa familjet shqiptare përballen çdo ditë me një mbijetesë të vështirë dhe kosto të papërballueshme jetese, qeveria vijon të tregojë një indiferencë totale dhe çnjerëzore. Shqipëria, e cila ka të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulëta në Europë, po paguan sot për ushqimet bazë çmime më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT dhe Eurostat, inflacioni në vend ka vazhduar të përshpejtohet, ndërsa çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën me 3.2% në terma vjetorë, një ritëm ky pesë herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ku shtrenjtimi i ushqimeve ishte vetëm 0.6%, ndërkohë që të ardhurat për frymë të qytetarëve tanë janë vetëm 43% e mesatares së Bashkimit Europian.


Por çfarë po bën qeveria jonë përballë kësaj zhvatjeje? Asgjë!  Ndërsa vendet e rajonit  ndërhyjnë me masa të drejtpërdrejta për të mbrojtur qytetarët, qeveria Rama mjaftohet me lojëra fjalësh, fasada dhe platforma virtuale. Le të shohim fqinjët tanë, të cilët mendojnë për qytetarët. Në Greqi, qeveria ka ndërmarrë nisma të fuqishme kombëtare në marrëveshje me furnitorët dhe rrjetet e supermarketeve, duke ulur çmimet për mbi 1,600 produkte bazë, artikuj higjiene dhe mjete shkollore, me një zbritje që shkon deri në 30%.  Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur për të vendosur tavane dhe për të ulur çmimet e karburanteve dhe të produkteve të shportës sa herë tregu ka shfaqur spekulime.


Po në Shqipëri?Në Shqipëri, çmimi i naftës vijon të mbetet ndër më të lartët në rajon, duke goditur zinxhirin e prodhimit, transportit dhe çdo familje që mezi paguan faturat e muajit. Qeveria refuzon të prekë akcizën, taksën e qarkullimit apo taksat e tjera që rëndojnë mbi çdo litër karburant, duke u sjellë si përfituesja më e madhe nga varfëria e qytetarëve.  Përballë kësaj situate të rëndë ekonomike, Partia e Lirisë ka paraqitur në Parlament propozime konkrete, të menjëhershme dhe jetike për t'i dhënë frymëmarrje ekonomisë familjare:Uljen e TVSH-së për produktet bazë të shportës nga 20% në 5%, për të ulur menjëherë faturën e çdo familjeje në arkën e supermarketit.Heqjen e taksave mbi naftën për të ulur kostot e transportit dhe të prodhimit vendas, duke e sjellë çmimin e karburanteve në nivele të përballueshme për qytetarët dhe biznesin e ndershëm.Koha për retorikë ka mbaruar. Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë më shtrenjtë se gjithë Europa për të mbushur tryezën e fëmijëve të tyre. Është koha për t'i dhënë fund zhvatjes dhe për të votuar paketën e lehtësimit fiskal në shërbim të çdo familjeje shqiptare!"