TIRANE –  Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit, në një nivel të ri rekord prej 2%. Njoftimi është bërë nga banka e Shqipërisë në faqen e saj të internetit. “Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.00%.”

Vendimi i Bankës së Shqipërisë vjen teksa inflacioni në dhjetor ishte 0.7%, poshtë objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%, duke i dhënë më shumë hapësira institucionit monetar qendror për të vepruar.

Kjo është hera e 13, që institucioni monetar qendrore redukton normën bazë, që nga shtatori 2011, kur filloi politika agresive lehtësuese monetare, që synonte uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Ulja më e fundit u bë në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Por, gjatë kësaj periudhe segmenti që ka reflektuar më shumë politikën lehtësuese janë interesat e depozitave në lekë, që kanë zbritur në 1.6% në nëntor (maturimi 12 mujor), duke u ulur me 4.3 pikë përqindjeje në raport me shtatorin 2011. Gjatë së njëjtës periudhë, interesat e kredive (mesatare për të gjitha maturitetet) janë reduktuar me 2.6 pikë përqindje, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen e diferencës mes interesave të kredive e depozitave, në rreth 7%, nga 5% që ishte para fillimit të lehtësimit të politikës monetare, duke qenë një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e fitimit të bankave.

Nga ana tjetër, depozitat, sidomos ato me afat në lekë kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes muajt e fundit.

Edhe kredia është rritur me ritme të ulëta, për t’u gjallëruar vetëm muajt e fundit.

Ulja e normës bazë vjen në një kohë që yield-i i letrave me vlerë afatshkurtër të qeverisë kishte filluar rritjen prej disa javësh, duke reflektuar tërheqjen e bankave në investimet në bono thesari dhe duke rritur koston e shërbimit të borxhit të qeverisë. Edhe në ankandin e fundit të zhvilluar dje, yield-i i bonove 12 mujore u rrit nga 3.51% në 3.54%.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)