Banka e Shqipërisë propozon tavan për interesat e kredisë konsumatore: Synojmë të mbrojmë qytetarët nga normat e larta

TIRANË- Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mbrojë qytetarët, të cilët përballen me norma të larta interesi, teksa marrin kredi konsumatore. Nëpërmjet disa ndryshimeve që rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, banka propozon vendosjen e një tavani. Në një përgjigje zyrtare për Report TV, Banka qendrore thotë se ky vendim ka ardhur pasi tregu ka njohur disa devijime sa i takon normave të interesit.

Sipas shpjegimit të këtij institucioni, më këto ndryshime synohet edhe përafrimi me standardet dhe praktikat më të mira të aplikuara në vendet BE për këtë tregues.

“Nuk kemi të bëjmë me një tavan të ngurtë, por me një tregues që i përshtatet në vazhdimësi kushteve të tregut dhe synon të zbusë diferencat e larta mes kostove që i ngarkohen klientit nga institucione të ndryshme për produkte me karakteristika të ngjashme”, thuhet në përgjigjen e bankës qendrore.

Të pyetur nga Report TV nëse janë konstatuar abuzime me normat e interesit, Banka e Shqipërisë thotë se nuk mund të flitet për abuzime porsa kohë qytetarët i kanë pranuar këto norma, por pohon se kostot janë më të larta për qytetarët që marrin kredi tek institucionet jo-banka.

“Në vlerësimin tonë kemi të bëjmë më tepër me devijime të tregut, se sa me abuzime, përsa kohë respektohen kushtet e përcaktuara në kontratë. Për vetë strukturën e financimit të aktivitetit të subjekteve jo-banka, një pjesë e mirë me kredi nga bankat e nivelit të dytë, këto subjekte kanë kosto më të larta të sigurimit të fondeve, kosto të cilat i transferohen klientit kredimarrës”, vijon argumentin Banka.

Institucionet jo banka janë më të pritura drejt normave më të larta për shkak edhe se ata ndjekin procedura të shpejta për të dhënë kredinë, dhe nuk kryejnë analiza risku si bankat tregtare, dhe marrin një risk të lartë për kthimin e kredisë. Në këtë mënyrë për të marrë fitimin e tyre ata aplikojnë norma të larta interesi.

Ky nivel interesi do të vendoset duke u bazuar në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore rritur me një të tretën e saj. Përshembull nëse mesatarja e normave për një tremujor është 12%, tavani maksimal do të jetë 16%, duke i shtuar 1/3 e mesatares.

Norma maksimale e interesit tavan do të ndahet sipas 3 shumave të kredive konsumatore. Për kreditë deri në 200 mijë lekë do të ketë një tavan, për ato mbi 200 deri në 2 milionë do të ketë një normë tjetër dhe për kreditë mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë do të ketë një tjetër tavan norme interesi.

Përgjigjet e plota të Bankës së Shqipërisë për këtë propozim

1. Pse Banka e Shqipërisë vendosi që të bëjë ndryshime në rregulloren e Bankës së Shqipërisë nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”?

Banka e Shqipërisë, në vazhdimësinë e punës për rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, lidhur me transparencën dhe mbrojtjen e klientit, bazuar në dispozitat respektive të Ligjit për Bankat dhe ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ka ndërmarrë rishikimin e kësaj rregulloreje duke synuar kryesisht adresimin e  disa devijimeve të vërejtura në treg. Rishikimet rregullative synojnë të përafrojnë standardet dhe praktikat më të mira të aplikuara në vendet e BE për përcaktimin e kufizimeve për Normën Efektive të Interesit (NEI), si një tregues gjithëpërfshirës i kostove të njohura të kredisë, duke u bazuar në llogaritjen e një mesatareje të tregut për këtë tregues.

2. Ju propozoni vendosjen e një tavani për interesat e kredive si konsumatore ashtu edhe për ato hipotekare, pse një propozim i tillë dhe çfarë synoni?

Ne kemi propozuar të vendosim një normë mesatare të tregut, e cila lejon një marzh prej 33% mbi mesataren, si një kufi relativ, i cili ndryshon në intervale periodike, pra nuk kemi të bëjmë me një tavan të ngurtë, por me një tregues që i përshtatet në vazhdimësi kushteve të tregut dhe synon të zbusë diferencat e larta mes kostove që i ngarkohen klientit nga institucione të ndryshme për produkte me karakteristika të ngjashme. Ky kufi do të vendoset vetëm për kreditë konsumatore, normat e kredive hipotekore nuk do të preken nga ky propozim.

3. A keni konstatuar raste abuzimesh me normat e larta të interesit që keni marrë këtë vendim? Në rast se po për çfarë kredish ka pasur më shumë abuzime Konsumatore apo Hipotekare?

Nga monitorimet që kryejmë për tregun, vërehet se tregu i kredisë konsumatore në veçanti, ka marrë zhvillim të shpejtë në vitet e fundit. Ky zhvillim ka sjellë edhe nevojën për një rregullim më të mirë të këtij tregu, në përputhje edhe me praktikat e zbatuara nga vendet evropiane, në kushtet kur produktet e kredisë konsumatore, edhe pse në shuma të vogla, ndikojnë në financat e një grupi gjithnjë e më të madh qytetarësh. Nuk mund të shprehemi me termin “abuzim” për sa kohë kushtet e aplikuara për kreditë konsumatore janë në përputhje me kontratat përkatëse që konsumatorët i kanë nënshkruar me vullnetin e tyre të lirë. Në praktikë, kredia konsumatore, e cila nuk ka garanci të tjera, ka një rrezik më të lartë, pra edhe një kosto më të lartë. Ndërhyrja jonë synon të zbusë disa devijime që janë vërejtur në treg dhe është ndërtuar si një instrument fleksibël dhe jo arbitrar.

4. Ju përfshini në projekt-vendimin tuaj si bankat tregtare ashtu edhe institucionet jo-banka, por në cilin sektor janë konstatuar ‘shkeljet apo abuzimet’ më të mëdha?

Siç u shprehëm edhe më lart, në vlerësimin tonë kemi të bëjmë më tepër me devijime të tregut, se sa me abuzime, përsa kohë respektohen kushtet e përcaktuara në kontratë. Për vetë strukturën e financimit të aktivitetit të subjekteve jobanka, një pjesë e mirë me kredi nga bankat e nivelit të dytë, këto subjekte kanë kosto më të larta të sigurimit të fondeve, kosto të cilat i transferohen klientit kredimarrës. Pikërisht për të diferencuar në këtë drejtim, në propozimin tonë kemi bërë edhe një ndarje mes produkteve, dy prej të cilave (kredia kufi dhe kartat e kreditit) ofrohen vetëm nga bankat.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eri: 12/04/2021 19:51

    Jeni kujtu vone Banka e Shqiprise. Qytetaret i ropen bankat me kredi shume te larta edhe ju si mbikqyres nuk nderhyni.A i shikoni sa jan % e kredive te papranueshme dhe aspak sociale per nivelin e Shqiperise. Duhet te ulni interesat sa nuk eshte vone se gjakun e familjareve po e pijne hajdutet e bankave.

    Përgjigju
  • Agjenti: 12/04/2021 19:42

    Duhet te ishte bere me kohe kjo levizje. Shoqerite jo banka u pine gjakun popullit me interesa stratosferike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    18 Nëntor, 08:54

    Besoni se buxheti 2025 do ndikojë pozitivisht në të ardhurat e qytetarëve?



×

Lajmi i fundit

Tenis/ Sinner mposht Fritz dhe triumfon në finalet e ATP së Torinos

Tenis/ Sinner mposht Fritz dhe triumfon në finalet e ATP së Torinos