Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) goditi tregjet financiare të enjten, duke hequr një kufi të normës së këmbimit të frangës me euron, që e kishte vendosur prej tre vitesh, duke bërë që monedha, e cila perceptohet si e sigurt, të rritet, duke kaluar kufirin prej 1.2 franga për euro dhe duke rritur frikën për ekonominë zvicerane të lidhur me eksportet.
 
Vetëm pak ditë më parë, zyrtarët e SNB e kishin përshkruar këtë kufi  si elementin kryesor të politikës monetare të bankës. Kjo lëvizje bëri që franga të rritet gati me 30% ndaj euros në minutat e para kaotike të tregtimit, erdhi një javë përpara se Banka Qendrore Europiane (ECB) pritet të zbulojë një program masiv të blerjes së obligacioneve që rrezikonte ta detyronte SNB të shiste masivisht franga për euro, me synim për të mbrojtur këtë kufi.
 
“Veprimet e sotme të SNB janë një tsunami; për industrinë e eksporteve dhe turizmin dhe në fund për të gjithë ekonominë,” tha Nick Hayek, shefi ekzekutiv i firmës zvicerane të orëve, Swatch.
 
Teksa hoqi kufirin e sipërm të monedhës, SNB po përpiqet të zmbrapsë flukset e reja drejt frangës zvicerane, duke ulur normën bazë të interesit, e cila ishte tashmë negative, duke e ulur me 0.5 pikë përqindjeje në -0.75%. SNB u angazhua të “qëndrojë aktive në tregjet e këmbimit për të ndikuar kushtet monetare “.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)