Bashkimi Europian është mobilizuar për të shpëtuar sistemin e tij bankar nga një kolaps i mundshëm. Ministrat e Financave të vendeve anëtare, të mbledhur mëngjesin e sotëm në Bruksel, diskutuan mbi një paketë të ashpër masash mbrojtëse që zënë fill pas krizës së Qipros.
 
Zotëruesit e bonove dhe depozituesit e mëdhenj do të përballen me humbjet më të mëdha nëse një bankë europiane falimenton, duke filluar që nga viti 2016. Kjo është marrëveshja e arritur midis negociatorëve të Bashkimit Europian, si një përpjekje për të mos përdorur paratë e taksapaguesve në shpëtimin e bankave.

Ligji, nëse do të miratohet nga ministrat e Bashkimit Europian, parashikon humbje për blerësit e bonove dhe depozituesit në shuma të mëdha. Nëse i jepet drita jeshile këtij ligji, ai do të përcaktojë rregulla të qarta për mbylljen e një banke në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian dhe siguron se nuk do të jenë vetëm aksionerët dhe qeveritë që do të paguajnë faturën.
 
Perspektiva e ligjit të ri, që është shtyrë disa herë nga frika se do të përkeqësojë humorin e investitorëve në tregje dhe koston e huamarrjes për bankat, pritet të frenojë entuziazmin në tregun e bonove bankare. Por do të ofrojë një qarkullim në territore të sigurta të parave.
 
Ligji vjen si një përgjigje e krizës bankare dhe shënon një tjetër pikë të rëndësishme në reformimin e kësaj industrie, që shkakroi edhe krizën ekonomike. Në këtë mënyrë, modeli i përdorur në Qipro më herët gjatë këtij viti, do të shndërohet në ligj dhe do të aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
 
Michel Barnier, komisioneri europian i ngarkuar për shkrimin e ligjeve, deklaroi se ky ishte një hap shumë i madh përpara për të siguruar taksapaguesit se nuk do të jenë në “linjën e parë” për të paguar për gabimet e bankave.
 
Modeli i Qipros theu një tabu, pasi mbrojti kursimtarët nga humbjet, kur bankat ishin pranë falimentimit. Kjo marrëveshje, që parashikohet të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2016, u arrit midis ligjvënësve të Parlamentit Europian dhe negociatorëve që përfaqësojnë vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ndërsa javën e ardhshme, ligji do të shkojë për t'u miratuar nga ministrat e Bashkimit Europian.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)