Mes ujërave të trazuara po lundron ekonomia globale, dhe sa më shumë të zgjatet konflikti në Lindjen e Mesme, aq më të ndjeshme do të bëhen pasojat ekonomike, shprehen institucionet financiare vendase dhe të huaja.
Në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë Martin Kocher, zhvilloi një takim me guvernatorin Gent Sejko dhe drejtuesit e bankave tregtare në vend, ku në fokus ishin sfidat e sektorit financiar dhe vendimet aktuale të bankave qendrore për t’ju përgjigjur rritjes së inflacionit.
“Inflacioni është nën kontroll, madje poshtë objektivit tonë. Objektivi ynë për inflacionin është 3% dhe shifrat më të fundit, duke përfshirë edhe ndikimin e çmimeve të naftës dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, tregojnë se inflacioni mbetet në nivelin 2.8%. Politika jonë monetare do të jetë e bazuar në të dhëna dhe do të përshtatet sipas ecurisë së inflacionit”, tha Gent Sejko.
“Për Bankën Qendrore Evropiane dhe për politikën monetare, situata nuk është e lehtë. Është e qartë se nëse situata me të cilën po përballemi në Lindjen e Mesme, vazhdon për një kohë më të gjatë, dhe nëse çmimet e naftës mbeten në nivelet aktuale, atëherë do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të ruhet objektivi afatmesëm prej 2% i inflacionit në eurozonë. Kjo do të thotë se veprime të politikës monetare mund të priten në një të ardhme jo shumë të largët”, thotë Martin Kocher guvernator i Bankës së Austrisë.
Pavarësisht se gjatë takimit u vlerësua performanca ekonomike e vendit dhe qëndrueshmëria e sektorit bankar, rreziqet nuk mungojnë, jo vetëm ato gjeopolitike apo ekspozimi në pasuri të paluajtshme por masa kërkojnë sulmet kibernetike.
“Nga këndvështrimi ynë si mbikëqyrës dhe rregullatorë, rreziqet aktuale me të cilat po përballemi lidhen me digjitalizimin, modernizimin e pagesave dhe me sulmet kibernetike”, tha Sejko.
“Rreziqet që burojnë nga sulmet kibernetike, inteligjenca artificiale dhe mundësitë digjitale, të cilat nuk ekzistonin pesë apo dhjetë vite më parë, është e vështirë të vlerësohen. Mendoj se sot këto lloj rreziqesh janë pothuajse po aq të rëndësishme, ose ndonjëherë edhe më të rëndësishme, sesa rreziqet tradicionale financiare”, tha Kocher.
Gjatë takimit u diskutua më tej për bashkëpunimin ndërmjet dy bankave për shkëmbimin e eksperiencave, ndërsa jashtë vëmendjes nuk mbeti as përparimi drejt anëtarësimit në BE, në kuadër të cilit legjislacioni po përmirësohet edhe më tej.
Komente





