Bankers, marrëveshja nuk cenohet 
monitorojmë ecurinë e koncesionit

Bankers, marrëveshja nuk cenohet <br />monitorojmë ecurinë e koncesionit
TIRANË - Një ditë ditë pasi Bankers Petroleum njoftoi se po shkon drejt shitjes së të gjitha aseteve që zotëron, me vlerë totale prej 392 mln eurosh, Ministria e Energjisë sqaroi dje se transferimi i aksioneve tek një kompani kineze nuk cenon asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar. “Nuk ndryshon raporti i shtetit shqiptar me kompaninë që operon në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës dhe detyrimet që kjo kompani ka ndaj shtetit shqiptar në respektim të marrëveshjes hidrokarbure, për pagesat kryesore, ku më e rëndësishmja është renta, si dhe marrëveshjen e Bankers me Tatimet për shlyerjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga vlerësimi tatimor”, deklaroi Koli Bele, sekretar i përgjithshëm i MEI.

Nga ana e tij, edhe Dael Dervishi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Komnëtare të Burimeve natyrore, sqaroi se kinezët kane blerë aksionet e Bankers Global në bursë bashkë më operacionet e Shqipërisë, Hungarisë dhe Rumanisë. Shitja në këtë mënyrë nuk ka nevojë për një miratim të qeverisë shqiptare, pohoi ai. Koncesionarët e naftës duhet të njoftojnë qeverinë shqiptare paraprakisht për shitjen e aksioneve dhe në rastin e Bankers njoftimi është bërë.

“Ne do të monitorojmë kontratën pikë për pikë detyrimet aktuale që rrjedhin nga marrëveshja koncesionare me Bankers pavarësisht blerësit tha Dervishi”. Nëse kontrata nuk zbatohet sipas përcaktimeve ligjore qeveria shqiptare dhe përkatësisht AKBN propozon heqjen e licencës, shtoi ai.

Ministria e Energjisë thotë se kjo është një praktikë më se normale, sidomos në kushtet kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie. Nga kjo situatë përfitojnë kompanitë e mëdha, për të rritur portofolin e investimeve. “Është një aktivitet që zhvillohet lirshëm mes palëve, në përputhje me legjislacionin e vendit, që në këtë rast është kompania në Kanada, por edhe me praktikat ndërkombëtare në fushën e hidrokarbureve. Pra, kemi të bëjmë me një shitje tek një kompani që në pamje të parë është me një vlerë më të madhe”, sqaroi Bele.

Bankers operon prej 12 vitesh në Shqipëri. Blerësit e aseteve të saj janë shoqëritë “Alberta Ltd” dhe “Charter Poëer Investment Ltd”, të cilat janë degë të kompanisë “Geo-jade Petroleum”, një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës e gazit në Kinë.

Ajo që mbetet për t’u parë është nëse marrëveshja për shitjen e aksioneve finalizohet, sa do të investojë kjo kompani, në kushtet kur rënia e çmimeve të naftës ka zhytur sektorin në vështirësi të mëdha financiare. Sipas Dervishit, aksionet kanë kaluar tani tek një kompani shumë më të fuqishme, e aftë për të përballuar investimet e reja në kushtet e çmimeve tepër të ulta në Shqipëri. Dervishi tha se një çmim në bursa më pak se 40 dollarë i nxjerr me humbje koncesionarët e nxjerrjes së naftës. Për këtë arsye kompanitë janë vënë në vështirësi dhe nuk po përballojnë humbjet pasi në Shqipëri kostot e nxjerrjes së naftës janë shumë më të mëdha se në vendet e tjera naftëmbajtëse.

Rënia e çmimeve të naftës dhe mungesa e likuiditetit të mjaftueshëm për të përballuar operacionet e nxjerrjes së naftës e kanë vënë industrinë në vështirësi sidomos në Shqipëri. Një transaksion i ngjashëm ndodhi edhe pak kohë më parë, kur Shell bleu të gjitha aksionet e operacioneve në Shqipëri të PetroManas.
Ndërkohë, kreu i kompanisë David French, president dhe shef ekzekutiv i Bankers Petroleum, komentoi: “Transaksioni i propozuar i jep Bankers mundësinë t’i kthejë vlerë aksionerëve tanë me një premium të konsiderueshëm ndaj vlerësimit aktual të tregut, ndërsa i ofron Bankers burime financiare shtesë për të përshpejtuar aktivitetin në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve të produktit.  Ky transaksion do të gjenerojë përfitime domethënëse ekonomike për Shqipërinë dhe komunitetin lokal, ku vepron Bankers.”


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Moti për fundjavën, diell e vranësira, të dielën do pasohen me shi! Harta për çdo qytet

Moti për fundjavën, diell e vranësira, të dielën do pasohen me shi! Harta për çdo qytet