TIRANË- Banorët e Astirit nuk janë ndalur. Teksa një pjesë e banesave janë shembur, banorët kanë vijuar qëndresën e tyre tashmë me një tjetër kërkesë: Të nisin hetimet për projektin "mafioz" të Unazës së Re siç ata e cilësojnë. Për këtë arsye ato, ditën e nesërme në orën 11:30 do të marshojnë drejt Prokurorisë. "Unaza e re do të fitojë", mbyllet kështu njoftimi i tyre për marshimin e ditës së nesërme.

"Nesër në orën 11:30 në Rrugën e Kavajës pranë kishës bëhet grumbullimi i banorëve me jelekë me vete pankartat janë aty marshim drejt prokurorisë. Filloni hetimet... Pezulloni punimet. Unaza e Re do fitoj", njoftojnë banorët e Astirit.

PD ka kërkuar nisjen e hetimeve pasi në mënyrë të dyshimtë një kompani u shpall fituese për të mbikëqyrur punimet në konflikt të pastër interesi pasi ka lidhje me firmën Salillari që po zbaton një pjesë të projektit.

Një skandal i zbuluar nga Shqiptarja.com ku Autoriteti Rrugor Shqiptar, në mënyrë dyshimtë, renditi në krye të listës kompaninë Instituti i Konsulencës në Ndërtim IKn, duke e projektuar si fituese të ardhshme për të mbikëqyrur punimet për ndërtimin e segmentit të Unazës së Re, ndërkohë që në pjesën e parë të garës kompania nuk ishte renditur në krye dhe mbi të gjitha ajo ka pasur lidhje të forta ekonomike me këtë kompani sepse është nënkontraktuar për të mbikëqyrur zbatimin e një kontrate nga Salillari dhe dy kompani të tjera për autostradën Milot-Morinë.