Banorët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan dolën në protestë këtë të martë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike që po zgjat prej dy javësh. Sipas tyre, pas komunikimit me OSHEE, u është thënë se ndërprerja lidhet me punime në rrjet dhe se problemet pritet të vazhdojnë të paktën deri më 4 maj.
Kjo situatë ka krijuar vështirësi për rreth 300 banorë, të cilët po jetojnë pa energji dhe pa furnizim me ujë. Ndërkohë, edhe bizneset e zonës janë prekur, pasi frigoriferët qëndrojnë të fikur gjatë ditës, duke rrezikuar prishjen e produkteve ushqimore.
“Kemi mbi 1 javë që nuk kemi drita. Fiken në 8 dhe vijnë në 6 të pasdites. Flitet që do të vazhdojë kjo deri në datën 4. Është shumë e vështirë, s’kemi as ujë. Ky është problemi më i madh. Po bëhen punime thonë. Si mund të bësh punime dhe të lësh një komunitet të tërë pa drita. Unë nuk kam marrë njoftim. Preken gati 300 shtëpi”, tha një prej qytetarëve.
Nga ana tjetër, vështirësitë janë edhe më të mëdha për amvisat, të cilat përballen me kufizime në ruajtjen e pastërtisë dhe në përgatitjen e ushqimit. Në familjet ku ka të moshuar dhe fëmijë, mungesa e energjisë ndihet edhe më tepër.
“Janë shkelur shumë të drejta bazike të njerëzve. Kam fëmijë të vegjël. S’ka ujë, drita s’ka. Po një që ka të sëmurë në shtëpi? Më prishen kondicioner, frigorifer, kush m’i paguan? Do të bëjmë denoncime që t rregullohet situata. Është java e dytë, duhet të bëhet një njoftim të marrim masa”, tha një prej qytetareve.
Banorët shprehen se edhe më parë kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike, por sipas tyre, kjo situatë mund të ishte menaxhuar më mirë.
Komente








