DURRES-Banorët e prekur nga tërmeti tragjik që goditi vendin mbrëmjen e sotme kanë filluar që të strehohen në hotelet në qytetin bregdetar pas marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë. Kryeministri Edi Rama ishte në një nga hotelet që janë akomoduar banorët në Durrës.

Kreu i qeverisë takoi disa nga banorët e prekur nga tërmeti, ndërsa u garantoi mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e banesave, por deri atëherë duhet të qëndrojnë në hotele. Gjatë takimeve, kryeministri Rama bëri disa batuta me banorët.

Një prej banoreve iu 'ankua' se i thonin se është socialiste, por kryeministri u përgjigj duke thënë se 'Socialistë, komuniste, demokratë jemi të gjithë bashkë tani njëlloj'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 02:18
Sot në mëngjes Rama mbledh sërish qeverinë për tragjedinë e tërmetit


Sot në orën 07:00 kryeministri Edi Rama do të mbledhë sërish qeverinë. Dje ishte ditë zie kombëtare dhe u shpall gjendja e emergjencës në Tiranë dhe Durrës, ndërsa sot pritet që të zbardhen të tjera masa që janë marrë nga qeveria për të prekurit nga tërmeti që goditi vendin duke lënë mbi 30 të vdekur.

Ora 23:43
Rama: Të prekurit u strehuan, nesër nisim vizitat nëpër banesat e dëmtuara


Kryeministri Rama thotë se të gjithë të prekurit nga tërmeti që mbetën pa shtëpi janë të strehuar në hotele në Durrës, ndërsa nesër do të nisin vizitat nëpër banesat e dëmtuara.

"Faleminderit të gjithë atyre që e realizuan këtë mrekulli të vogël, duke i bërë të panevojshme çadrat e emergjencës për fatkeqët në Durrës, pa u mbushur ende 48 orë nga thagma dhe pavarërisht ngarkesës së tmerrshme e të gjithanshme.

Nga sonte të gjithë do të jenë në të ngrohtë, me ushqim e krevat, falë pikërisht organizimit, koordinimit dhe mbi të gjitha gatishmërisë fantastike të sipërmarrësve të hotelerisë durrsake.

Nga nesër në mëngjes herët, nisim vizitat nëpër banesat e dëmtuara, për t’u siguruar se çdo familje në nevojë për një strehë të sigurtë, do ta ketë atë pa humbur kohë. Shqipëri Solidare jep kontributin tënd në adresën unike: e-albania.al/dhuro".