Banorët e Rrjollit kanë vendosur që protestën e paralajmëruar për ditën e mërkurë ta zhvillojnë përpara dyerve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Këtë e konfirmon përfaqësuesi i banorëve të zonës Baks-Rrjoll, Prekë Molla.
Sipas tij, protesta do të mbështetet edhe nga disa komunitete dhe shoqata të ndryshme nga vendi, mes tyre shoqata “Dukagjini” dhe “Dukati i Vlorës”.
“Protesta para SPAK është në bashkëpunim me gjithë komunitetin shqiptar që janë të vendosur për pronat e tyre që edhe si ne, kanë probleme të ndryshme lidhur me pronat. Jemi lidhur me shoqatat ‘Dukagjini’ apo ‘Dukati i Vlorës’ që nesër në orën 10:00 paradite jemi pranë SPAK-ut. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që kërkojnë drejtësi që nesër të jemi para SPAK në një protestë paqësore ku do të kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi”, tha Molla.
Molla shprehet se gjatë protestës para SPAK do të bëhen publikë edhe emrat e tre personave të tjerë për të cilët banorët kanë depozituar kallëzim në polici.
“Nga SPAK ne kërkojmë diçka më shumë sepse ditën e djeshme kemi depozituar një kallëzim të tretë me shumë emra që nesër para SPAK do t’i them të gjithë këta emra të përfshirë në këtë ofertë korruptive dhe në falsifikimet që janë bërë në lidhje me dokumentacionin që Fatmir Shpellzaj ka futur pronën”, thotë Molla, ndërsa shton se dy prej këtyre personave nuk jetojnë, por do të publikohen emrat e atyre që jetojnë.
Nga ana tjetër, ai thekson se Prokuroria e Shkodrës duhet të vihet në lëvizje dhe t’i japë drejtim kësaj çështjeje, që sipas banorëve lidhet me të drejtat e tyre mbi tokat.
“Ne nuk pretendojmë asgjë, veç po kërkojmë që shteti shqiptar të vërë para përgjegjësisë të gjithë personat e organizuar për të bërë këtë falsifikim që janë fituar 1 milionë e 500 mijë metra katrorë nga një person nga hiçi që s’ka ekzistuar në asnjë moment të regjistrit shqiptar se ai ka qenë në këtë fshat”, shprehet Molla.
Sa për punimet e resortit të botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj, Molla thotë se nuk ka qenë, por vijojnë. Jo vetëm kaq, por numri i policëve që shkojnë në terren për të vënë nën kontroll situatën, është shumëfish më i lartë.
“Unë nuk kam qenë atje por policët vijnë dhe na numërojnë sa vetë jemi dhe porosisin policët sa duhet të jenë ata në raport me numrin që jemi ne. Nëse jemi 20 persona, vijnë 60 policë. Nëse jemi 50 persona, vijnë 150 policë. Punimet nuk ndalen. Është e 13-ta herë që shkoj në polici. Sa më shohin, më kapin dhe mendojnë se e shuajnë protestën, por jo, s’do ta arrijnë qëllimin”, përmbylli Molla.
Protesta e banorëve pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Sipas Mollës, ata nuk do të ndalen derisa të kërkojnë dhe të mbrojnë të drejtën e tyre për pronat.
Komente











