TIRANE - Banorët e “Astirit”, banesat e të cilëve preken nga projekti i zgjerimit të “Unazës së Madhe”, kanë dalë sërish në protestë, por këtë herë përpara Bashkisë së Tiranës. Ata kanë bllokuar rrugën duke paralizuar qarkullimin e automjeteve si dhe kanë qëlluar me vezë në drejtim të Bashkisë. Protestuesit mbanin në duar pankarta me mesazhe si "Shtëpitë do i mbrojmë me trupat tanë", "Dy duar për një kokë", "Duam pronat tona", "Kryeministër ku je fshehur?", "Lali Eri ku je fshehur?" apo dhe "Fuqia e njerëzve më e madhe se njerëzit në fuqi".

Banorët kërkuan takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, për të marrë përgjigje lidhur me kërkesat e tyre për kompensim e shtëpive me vlerën e tregut. Banesat në "Unazën e Re" janë ndërtuar pas viteve '90 dhe pjesa dërrmuese e tyre nuk janë të legalizuara. 

Banorët kanë paralajmëruar se nuk do lejojnë shembjen e shtëpive pa marrë dëmshpërblimet më parë. Ndërkohë në mbështetje të banorëve kanë mbërritur edhe deputetët e PD, Flamur Noka e Klevis Balliu.   

“I kemi dhënë votën PS-së, tani po na shkatërron shtëpitë. Kryebashkiakut i bëjmë thirrje të vijë këtu. Protesta jonë është shumë paqësore dhe e organizuar”, është shprehur një prej protestuesve. 

Ne nuk tërhiqemi. Për dy gjëra jeton njeriu; për nder dhe shtëpi. Shtëpitë tona nuk do të gremisen””.  

"Erion Veliaj të vijë këtu si burrë, të gjithë këta njerëz nuk i shtyp dot.Kam qenë i PS-së, por jo të më marrësh nusen e djalit të më lindë aty në burg. Ku janë këto Monika, Gramozë?Çfarë bëhet kështu? Ky po na prish shtëpitë dhe po na shkatërron. Turp! "Xhenhemi ju pret të gjithëve o hajdutë, ferri dhe xhenhemi", u shpreh një tjetër protestues i revoltluar.

Bashkia e Tiranës: Përgjegjës është ARRSH dhe jo ne
Protesta ka zgjatur rreth 60 minuta dhe më pas banorët janë larguar pa arritur të takojnë kryebashkiakun Erion Veliaj. Por në një reagim nga për "Shqiptarja.com", Bashkia e Tiranës saktësoi se nuk është ajo autoriteti përgjegjës për zgjerimin e Unazës së Madhe, por Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).  

Ndërkohë punimet e ARRSH për zgjerimin e Unazës së Madhe kanë nisur nga sheshi “Shqiponja”, në hyrje të Tiranës, duke hequr statujën e simbolit kombëtar, për t’i hapur rrugë ndërtimit të mbikalimit i cila pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun e automjeteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:27
Flamur Noka dhe Klevis Balliu marrin 'frenat' e protestës së banorëve të 'Astirit' (VIDEO)

Deputetë dhe eksponentë të lartë të Partisë Demokratike janë orkestruesit e protestës se një grupi prej 30-40 banorësh që kundërshtojnë projektin e zgjerimit të Unazës së Madhe. Siç shihet edhe nga fotot dhe nga kjo video, dy deputetët e PD, Flamur Noka dhe Klevis Balliu, djali i Fahri Balliut, kanë marrë në dorë organizimin e saj, duke dhënë orientimet se çfarë duhet të thonë dhe si duhet të sillen banorët.

Ata janë autorët e urdhrit për të bllokuar rrugën para bashkise, duke penguar me qindra qytetarë në trafik. Por, me sa duket Noka dhe Balliu kanë ngatërruar Bashkinë e Tiranës me Autoritetin e Rrugëve, duke qenë se projekti i Unazës së Madhe është projekt i ARRSH.

Pjesë e organizimit te protestës ka qenë edhe kreu i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi, i cili kishte mbledhur edhe disa të rinj nga strukturat e PD-së për të mbushur numrin e protestuesve.

Deputetët e PD në protestën e banorëve të 'Astirit'