Banorët e fshatrave të njësisë administrative Velabisht, Bashkia Berat, kanë protestuar sot para Bashkisë për gjendjen e rënduar të rrugës, e cila prej vitesh mbetet e amortizuar.
Disa banorë hynë në bashki për bisedime, ndërsa dy nënkryetarët e bashkisë dhe sekretarja nuk u dhanë zgjidhje. Ata thanë se bashkia nuk ka fonde për rrugën.
“Bëmë takim, na tha nuk kemi fonde për të bërë rrugën. Bëni çfarë të doni tha, greva, bllokoni çfarë të doni, nuk pyesim për ju. Ata të gënjejnë gjithë ditën, vijnë marrin votat dhe pastaj ikin. Nuk kemi fonda tha, na jep qeveria.”, tregoi një banor.
Një banor tjetër tha se përfaqësuesit e bashkisë u treguan arrogantë dhe nuk kishin interes për zgjidhjen e problemit.
"Ishte një takim i kotë nga ana e tyre, thjesht për të na marrë mendim, shënime që kanë mbajtur disa herë. Na thanë do lajmërojmë kryetarin e bashkisë, arrogancë totale, bëni çfarë të doni. U thamë, të kemi dhënë votën. As më intereson fare tha, do vij t’ua marr prapë. Fonde ka, por për ne nuk ka. Dy nënkryetarët e bashkive dhe sekretarja. Kjo ishte, vazhdoni protestat nëse doni", u shpreh banori.
Katër fshatra dhe rreth 1000 familje janë të prekura nga mungesa e infrastrukturës.
"Kjo është një neglizhencë totale gjatë këtyre viteve. Kanë ardhur me premtime dhe kur vjen puna, 5 minuta nuk bëjnë takim me kryetarin. Nxjerrin sekretar dhe disa punonjës aty, që i bëjnë edhe presion te dera njerëzve. Kaq vite, zona është lënë në harresë. As punë, asgjë nuk po kërkojmë, vetëm asfaltimin e rrugës. Katër fshatra janë kryesore, 1 mijë familje bëhen. Do ta përshkallëzojmë protestën derisa të marrin një vendim.", tha një banor.
Protestuesit u shprehën se do të vijojnë reagimin.
“Ne jemi mbledhur para bashkisë për rrugën, të rregullohet rruga se na kanë mashtruar. Nga Bledar Çili i pari, ka ardhur për votime dy herë, na ka premtuar që do ta bëjë dhe na ka kthyer kurrizin. Kjo ka që kur ka qenë Petrit Sina, e ka pastruar një herë. Nga Petrit Sina e këtu asnjëherë. Vetëm me çakull ka qenë, disa herë jemi ngritur. Bledar Çili ka ardhur, ka mashtruar, do ta bëjmë dhe asgjë. Është nënkryetar. Të rregullohet rruga.” u shpreh banori Liko Seko.
Ata thonë se do të bllokojnë rrugën, nëse bashkia nuk kryen investimin.
"Sot kemi ardhur vetëm për rrugën, është për faqe të zezë. Nuk mund të lidhemi me qytetin fare, fëmijët nuk i sjellim dot. 4 fshatra lidhen, Velapisht, Gjoroven, Veleshi, Molisht. Për këto dy vjet, është herë e tretë në protestë. Kemi pasur takim edhe me kryebashkiakun që është bërë ministër tani, na premtoi se do ta shtronte. Këtu kanë mbetur 10-11 kilometra rrugë, vetëm asfalt. Ne do fillojmë të bllokojmë edhe rrugën", theksoi banori Bilal Meço.
Komente











