Për të dytën ditë radhazi, punonjësit e pastrimit në Vlorë bojkotuan punën për rreth dy orë. Shkak i protestës është vonesa prej tre javësh e pagesës së vështirësisë në punë, në vlerën 40 mijë lekë në muaj.
“Në protestë këtë të mërkurë kemi dalë edhe ne, punonjësit e sektorit të fshesës, pasi na është ulur pagesa dhe nuk po respektohet orari i punës. Kërkojmë vetëm të drejtat tona” tha njëri prej tyre.
“Na thonë se faji është i thesarit, por ne jemi në hall të madh. Jemi me qira, disa prej nesh na ka nxjerrë pronari. Rrogat na vonohen vazhdimisht, pushime nuk kemi dhe kontratat janë firmosur pa dijeninë tonë. Rrogat janë ulur dhe disa marrin vetëm 450 mijë lekë. Kemi familje, fëmijë të sëmurë dhe jetojmë në vështirësi. Nëse situata nuk zgjidhet, do të detyrohemi të protestojmë ose të hyjmë në grevë", tha një tjetër protestues.
Punonjësit u nisën drejt Bashkisë, por në ambientet e Ndërmarrjes së Pastrimit mbërriti kryetarja Brunilda Mersini, e cila sqaroi se vonesa është shkaktuar nga problemet në Thesarin e Shtetit.
“Sot punonjësit brenda orës 1 do të mund të tërheqin pagat e tyre. Ka qenë një nga vendimet e para të Këshillit Bashkiak që Ndërmarrja e Gjelbërimit dhe Pastrimit duhet shkrirë në një të vetme. Ju e kuptoni që ngarkesa ka rënë në 20 persona të cilët kanë punuar pa pushim, kjo ka shkaktuar zemëratën e tyre. Në kuadër të shkrirjes së dy ndërmarrjeve, ku ndërmarrja e pastrimit dhe gjerlbërimit do jetë një e vetme, çdo rajon do të ketë një numër të lartë punonjësish Pra sot që flasim ka 30-35 punonjës në 1 rajon dhe rajoni do të menaxhohet nga mbikqyrësit me 35 punëtorë dhe jo siç ka qenë me 2 punëtorë. Me mbarimin e afatit të ujësjellësit në maj, që menaxhohet nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve, e ne do të fillojmë me asfaltimet e rrugëve. Do të ketë kontenitorë të rinj por për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, e ka bërë të vështirë vendosjen e tyre. ” tha ajo
Mersini pranoi mungesën e infrastrukturës por për këtë fajësoi jo vetëm paraardhësit në krye te bashkise por dhe Ujësjellësin, i cili ka dëmtuar rrugët e qytetit gjatë shtrimit të tubacioneve të reja.
“Rrugët e dëmtuara dhe vendosja e koshave krijojnë pengesa për mjetet teknologjike. Këto shqetësime i kemi paraqitur në Këshillin Bashkiak, pasi më parë një numër i kufizuar punonjësish mbulonin një territor shumë të madh dhe punonin pa pushim", tha Mersini.
Kryebashkiakja premtoi se pas përfundimit të punimeve të Ujësjellësit do të nisë asfaltimi i rrugëve, vendosja e kontejnerëve të rinj dhe pastrimi i qytetit 24 orë. Një tjetër problem, sipas saj, mbetet trafiku në qytet.
“Po përgatisim një rregullore që do të përcaktojë oraret e furnizimit të marketeve, parkimin dhe lëvizjen e autobusëve, si në dimër ashtu edhe në verë, me qëllim përmirësimin e funksionimit të qytetit", vijoi Mersini.
Akte dhune janë regjistruar mesditën e 4 shkurtit në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, gjatë një proteste të punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë së qytetit bregdetar.
Sipas policisë, gjatë protestës ku ndodheshin edhe gazetarë për pasqyrimin e situatës, personi me inicialet A. H., 33 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet se në gjendje të dehur ka nisur fillimisht debate verbale dhe më pas fizike me gazetarin G. K., 33 vjeç.
Më pas, i njëjti person ka goditur me grushte edhe një 67-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Autori i dyshuar u shoqërua në Komisariati i Policisë Vlorë, ku pas veprimeve të para hetimore dhe komunikimit me prokurorin e gatshëm, u mor nën hetim në gjendje të lirë.
Materialet janë referuar në Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasit A. H., 33 vjeç, banues në Vlorë. Më datë 04.02.2026, rreth orës 12:30, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, ku ishte njoftuar zhvillimi i një proteste nga punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë, dhe ku të pranishëm ishin edhe gazetarë të mediave të ndryshme për pasqyrimin e situatës, shtetasi A. H., dyshohet në gjendje të dehur, ka nisur fillimisht debate verbale dhe më pas fizike me shtetasin G. K., 33 vjeç, me profesion gazetar.Më pas ka goditur me grushte edhe një 67-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Shtetasi A. H, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe komunikimit me Prokurorin e gatshëm, u procedua penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"
Komente











