LIBRAZHD - Bashkëpunimi Polici-Komunitet, godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen në Librazhd katër armë zjarri dhe municione luftarake në një banesë në fshatin Dorëz. Policia njofton se kishte marrë informacione nga komuniteti se në fshatin Dorez, Librazhd, në një banesë kishte armë zjarri dhe për këtë organizuan punën për verifikimin e informacionit.
Gjatë kontrollit në territorin e banesës së shtetasit Shaban Hidri, 51 vjeç, banues në këtë fshat, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri ( 2 automatik dhe 2 pushkë), si dhe 140 fishkë luftarakë.
Armët e sekuestruara në Librazhd
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Shaban Hidri për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.