Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar përshpejtimin e integrimit europian të Kosovës dhe ka paralajmëruar për rrezikun që paraqesin për Ballkanin Perëndimor nacionalizmi ekstrem, revizionizmi historik dhe glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte.

Në samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua këtë të premte në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Begaj e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Europian si pjesë të përgjigjes ndaj sfidave të reja gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i shkëputur nga siguria e përgjithshme evropiane. Një Evropë më e sigurt kërkon një rajon të ankoruar fort në institucionet dhe vlerat evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të forcojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar”, u shpreh Begaj.

Kreu i shtetit tërhoqi vëmendjen ndaj kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike, dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja. Ai theksoi se nacionalizmi ekstrem, revizionizmi historik dhe glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte cenojnë besimin mes vendeve të rajonit dhe pengojnë pajtimin.

Begaj përsëriti qëndrimin e Shqipërisë për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës, marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe anëtarësimin në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Sa i përket Shqipërisë, presidenti prezantoi objektivat për përmbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2030. Ai kërkoi që përmbushja e reformave nga vendet kandidate të shoqërohet me përparim konkret drejt anëtarësimit, në mënyrë që procesi i zgjerimit të mbetet i besueshëm.

Begaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së BE-së për zvogëlimin e diferencave ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të unionit.

“Bashkëpunimi rajonal nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një nga mënyrat për t’u përgatitur për të”, theksoi presidenti.

Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Përbashkët të Ohrit, në të cilën zgjerimi i BE-së cilësohet një domosdoshmëri gjithnjë e më e madhe gjeopolitike.

Në dokument theksohet se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen si vende të treta, por si pjesë përbërëse e rrjeteve infrastrukturore, integrimit ekonomik dhe zhvillimit të ardhshëm të Europës.

Samiti u zhvillua me mikpritëse presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe me bashkëdrejtues të procesit presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:48
Begaj takim me presidenten e Kosovës në Ohër: Mbështesim statusin kandidat në BE dhe për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara në Hagë (VIDEO)

Në nisje të punimeve të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër, Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Kreu i Shtetit e uroi Presidenten për detyrën e re, duke theksuar se eksperienca e saj akademike dhe profili i saj politik dhe njerëzor do të kontribuojnë në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve të saj.

Duke rikonfirmuar se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioriteti parësor i Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe të riaktivizimit të takimeve më të shpeshta të përbashkëta.

Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të çuar përpara agjendën e përbashkët kombëtare, me anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një nga objektivat kryesorë. Ai theksoi se  të dy presidentët duhet të jenë bashkë si faktorë përbashkues dhe përfaqësues dinjitozë të shqiptarëve, duke promovuar vlerat, interesat dhe aspiratat e tyre në hapësirën ndërkombëtare.

Për sa i përket procesit të integrimit evropian, Presidenti Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, duke siguruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë me vendosmëri dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ai vlerësoi përpjekjet e Kosovës për përmbushjen e standardeve evropiane, përafrimin me politikat e BE-së.

Begaj rikonfirmoi se Kosova është pjesë e çdo takimi që ai zhvillon me përfaqësues ndërkombëtarë dhe se kërkesa për njohjen e saj nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap mbetet pjesë e agjendës së tij. Ai rikujtoi se, që në takimin e tij të parë në selinë e NATO-s, në cilësinë e Presidentit të Republikës, kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Aleancë. Presidenti nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë. Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës, të drejtën kushtetuese për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara dhe në konsultim me partnerët.

Ai rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për një drejtësi të paanshme, që thekson respektimin e konteksti historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.

Në përfundim, Presidenti Begaj theksoi se promovimi i çështjeve që bashkojnë shqiptarët përtej politikës së ditës është pjesë e agjendës kombëtare. Ai shprehu besimin se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, përmes një përfaqësimi të përbashkët dhe dinjitoz në arenën ndërkombëtare, do të vijojë të kontribuojë në avancimin e aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.