MALIQ- Pojani i Bashkisë Maliq ka mirëpritur edhe këtë vit “Festën e Trëndafilave”, një aktivitet që po kthehet në një traditë të rëndësishme për komunitetin. Festa e cila promovon bukurinë e trëndafilave dhe vlerat kulturore të zonës ka mbledhur banorë institucione arsimore dhe vizitorë të shumtë.

Kryetari i Bashkisë Maliq, Gezim Topçiu, u shpreh se kjo festë është një nga aktivitetet më të veçanta lokale. Sipas tij, pothuajse çdo familje, veçanërisht gratë dhe zonjat e fshatit kultivojnë trëndafila në oborret e tyre duke e kthyer këtë traditë në një simbol të komunitetit.

Përveç ekspozimit të trëndafilave festa promovon edhe gatimet tradicionale, zakonet dhe vlerat e trashëguara ndër breza.

Banorët e Pojanit e konsiderojnë këtë festë një motiv për të ruajtur dhe pasuruar traditën e kultivimit të trëndafilave. Ata shprehen se prej disa vitesh festa është kthyer në një ngjarje të shumëpritur, e cila nxit të rinjtë të kujdesen për lulet dhe mjedisin.

Edhe të moshuarit e fshatit kujtojnë me nostalgji kohët kur çdo shtëpi kishte trëndafila të llojeve të ndryshme, ndërsa sot shohin me kënaqësi se tradita po vijon të përcillet tek brezat e rinj.

Festa u shoqërua me një program të pasur artistik me këngë, valle popullore, ku interpretuan nxënësit e shkollave.