Lista e emrave të familjeve të shquara të sjella këtu, të ripostuara gjetkë, apo të kthyera sërish, është e stërgjatë. Me pak, përjashtime, janë pothuaj ata që gjenden edhe në kampet e tjerë, por sidomos në Savër. Ndërkaq emrat që mungojnë gjenden në sektorët Plug, Gjazë, Çermë-Kamp e Savër. Ky i fundit, Savra, ka pasë qenë lëmi i grumbullimit dhe i shpërndarjes së “prodhimit armiqësor”, dhe mund të konsiderohet kampi mëmë. Që andej niste popullimi me skllevër i kampeve “bij”. Kjo mëmë sadiste i shpërngulte apo i rikthente, sipas ekzigjencave të survejimit, por edhe sipas nevojës së partisë për krahë pune në bujqësi.
Sapo mbërritëm në atë zonë, kërkuam të dimë se ku ishte kampi. Unë nuk kisha qenë atje qëkur ishim gjendur në kuadrin e një mitingu për demokracinë, në fillimin e vitit 1991, dhe e pata të vështirë të orientohem, edhe për shkak të degradimit të gjithanshëm të gjithë zonës përreth.
Këtu jemi në Ferras, më tha dikush, emërtimi kamp nuk ekziston. Dhe u përpoq të më shpjegonte diçka që në fakt e dija që më parë.
Ferras ka qenë quajtur ky vend para se të merrte emrin Gradishtë-Sektor. Ashtu siç u krijua emri Savër – Sektor, Çermë – Sektor (i mbetur pa emër tjetër edhe sot e kësaj dite), Çermë – Sektor nr.2, i mbetur me emrin që të fut drithmën “Kamp”; ashtu si Sektori – Grabian, Sektori – Plug, Gjazë etj.: kamuflim i vendeve të internimit si sektorë të ndërmarjes bujqësore.
Në ish sheshin kryesor të “sektorit” të degraduar, kërkuam dikë që të na shoqëronte. Kemi kryeplakun këtu, u hodh njëri prej frekuentuesve të klubit të atjeshëm. Edhe ai ka qenë i internuar. Unë iu drejtova grupit ku mund ta gjeja. Dikush prej tyre tha me zë të ulët: Do jenë gazetarë, nuk del gjë nga këta. Unë u prezantova dhe kërkova të flas me kryeplakun. Edhe ai u prezantua, ftohtë. Quhej Bajram Koloshi. Ishte pikërisht ai person që kish shprehur mosbesim në drejtimin tonë. I thashë përse kisha ardhur deri aty.
Eh, sa gazetarë e qeveritarë kanë ardhur këtu, bëjnë intervista, premtojnë, e pastaj zhduken. Unë u përpoqa t’i them që nuk bëja pjesë në ato kategori, por ai ndërkaq ish larguar, por pasi t’i thoshte njërit prej burrave të pranishëm që të na ndihmonte. “Ciceroni” kësaj here quhej Agron Zaçe. Me të përshkuam të gjithë zonën e barakave të të internuarve.
Dhe dua të them që në fillim se në Kampin e Gradishtës gjendja ishte shumë më e keqe sesa në Savër apo në Çermë-Kamp. Këtu ishte kaluar nga mjerimi i barakave të dikurshme, në shkatërrim total. Përjashtuar ndonjërën nga barakat në të cilën jetonte akoma familja e Zenel Tërnakut, apo ndonjë tjetër bujtës, të gjitha të tjerat ishin vetëm mirazhe banesash të dikurshme, më të dhimbshme në këtë formë të re, si dëshmi në agoni. Sa më thellë të futeshe në atë realitet, aq më dramatik bëhej ambienti. Më të shpërfytyruarat baraka kishin në kujtesën e plagosur emrat e Lekë e Mojs Mirakës, Xhevdet e Bujar Kaloshit, Thanas Budës, Abdurrahman Kaloshit, Lek Pervizit... Menajt, Kupët, Dostët, Demajt, Herrajt... Staraveckët, Zevot, Resulët, Bylykbashët...
Gjithandej zot i vendit ishte degradimi: Çati eterniti duke rënë, mure prej qerpiçi e kallamash, të cilëve u kishin mbetur vetëm hunjtë e shtrembër, diku mbuluar nga barërat e këqija, diku shndërruar në stalla bagëtish, në magazina rrangullishtesh apo jonxhe, në strehë qensh.
Monumenti i dhunshëm i Lushnjes
Që shqiptarët e kanë kujtesën të deformuar, një shembull tipik e japin edhe lushnjarët. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur durojnë, në sheshin e tyre kryesor – sa herë që bëjnë festa, sa herë që dalin nga klubet, apo në xhirot e mbrëmjes – monumentin më të lartë të këtij qyteti, atë të marrjes së tokave të fshatarëve. Duhej të ndërronin rrugë, por i sillen vërdallë indiferentë; duhet t’u vinin të vjellat para saj, por ata kanë stomakë të fortë, siç duket; duhet të ishin revoltuar për një kohë “no limits”, por ata heshtin.
Këtu e njëzet e tre vjet më parë, në gazetat “Ora e fjalës” dhe “Republika”, hodha idenë e dërgimit të atij monumenti në fonderi dhe ngritjen e një tjetri në vend të tij, atë të genocidit komunist. E meqenëse që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, po i përsëris të gjitha arsyet dikur prej meje të përmendura:
Ai monument i turpshëm është politikisht i dëmshëm, pasi kërkon të përjetësojë reformat më të përgjakura e tragjike të Myzeqesë. Pacipësisht është edhe quajtur “Toka jonë”. Toka e kujt? Ajo e atyre që ua morën? Ajo që e kolektivizuan? Ajo e atyre që zhveshën fshatarin deri në palcë? Që nuk ia shuan urinë as me bukë misri?
Duke qenë i ngritur nga komunistët atëherë kur po e kuptonin falimentimin e rendit të tyre antinjerëzor, pra shumë vonë, (në vitin 1987), ai monument u kuptua si tendencë e tyre për t’u përjetësuar. Sot, në një shtet të vërtetë demokratik, ai është edhe i rrezikshëm; është dhe, sa të jetë në këmbë, do të jetë burim tensionesh politike. Edhe pse për momentin të përgjumura.
Për arsyet e mësipërme, ai është edhe një monument historikisht i falsifikuar. Provoni të pyesni ata pak të mbijetuar të kohës së kolektivizimeve se me sa “gëzim” i kanë dhuruar tokat dhe bagëtitë! Shfletoni vetëm dokumentet e lëna pas po prej arkivave të diktaturës, lexoni shtypin shqiptar të atyre viteve, pyesni familjet e Fuat Kurtit, Demir Guberës, Hysen Bahos, Mitro Vulos, Hamdi Sefës, Veiz Kurtit, Rrap Qerretit, Naum Dajës dhe Jorgji Dajës, të dënuar me vdekje e sekuestrim të pasurisë. Nëse nuk ju mjaftojnë këto jetë të sakrifikuara, mund t’ju ofrojmë edhe ato të atyre me burg të përjetshëm... Të gjithë sepse ishin shpallur kulakë, pasi nuk u kish pëlqyer kolektivizimi.
Monumenti i turpshëm i Lushnjes duhet dërguar në fonderi edhe pse ai nuk është skulpturë me taban kombëtar (ky term i pëlqente shumë komunistëve). Përjashto bazamentin, ai kompleks në bronx është i punuar i gjithi sipas modeleve sovjetike. (Dhe kjo nuk është e vetmja skulpturë në Lushnje që vuan prej sovjetikërisë apo kinezërisë, shpesh edhe e kopjuar 100% prej “veprash” të atyre vendeve). “Toka Jonë” është edhe një vepër tipike sipas mësimeve të partisë: në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën, apo sipas idesë standard të aleancës së “kllasës” punëtore me fshatarësinë kooperativiste.
Nga pikëpamja e realizimit artistik, kjo masë tre-figurëshe prej bronxi, me gjithë respektin për autorin Perikli Çuli, është tejet mediokre, prandaj me shkrirjen e saj nuk shoh as edhe më të voglën humbje për artin kombëtar.
Prandaj ky monument kaq poshtërues në përmbajtje, artistikisht mediokër, politikisht i dëmshëm dhe historikisht i falsifikuar, duhet zhdukur prej andej.
Me se mund të zëvendësohet? Me diçka të natyrshme, për të cilin Lushnjes duhet t’i njihet rekordi zyrtarisht: Me një kompleks monumental për persekutiminkomunist.
Dhe jo vetë kaq. Lushnja ka nevojë edhe për një muze të këtij persekutimi të pashoq.
Po ashtu duhen bërë muzeale edhe kampet e internimit kudo që kanë qenë.
Sa nuk është vonë, sa mundet akoma të rekuperohen. Përveçse dëshmi të patjetërsueshme historike, ato fshatra – muze mund të jenë edhe burim biznesesh për popullsitë e atjeshme pasi, sigurisht, kanë për të tërhequr shumë vizitorë shqiptarë e të huaj.
Kryeqeveritari i sotëm, në premtimet e tij paraelektorale, sidomos në Amerikë, ka pasë premtuar që do të zgjidhte shumë probleme të ish të dënuarve e të persekutuarve politikë, madje e ka pasë paraqitur veten si i vetmi që mund t’i zgjidhte ato probleme. Pa asnjë paragjykim parafabrikat nga të tjerët, ai ka rastin të japë konfirmim edhe të këtyre premtimeve.
Le të shpallë një konkurs kombëtar më temën e monumentit të ri të Lushnjes, lë të përpiqet ta ndihmojë me fonde. Nëse do t’u kërkohet ndihmë edhe ish të persekutuarve, të ndodhur në Shqipëri apo diasporë, jam i sigurt që angazhimi i tyre nuk ka për të munguar.
Duhet rekuperuar kujtesa kombëtare, sa nuk është shuar akoma e gjitha. Pavarësisht nga partitë që mendojmë se përfaqësojmë. Që të mos vazhdojmë të mbetemi një gjysmëpopull, duke çnderuar vazhdimisht pjesët tona nga më të rëndësishmet. Që të arrijmë të bëhemi një komb i vërtetë, i plotë, që njeh tek lideri të gjithë vetveten, jo vetëm ndonjë gjymtyrë të saj.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 shkurt 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)