TIRANE - Me shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal kërkohet që personat e përfshirë në prostitucion me vullnetin e tyre të mos dënohen, por kjo nuk do të thotë legalizim i veprimtarisë kriminale të shfrytëzimit të grave për prostitucion apo krijim të shtëpive publike. Kështu shprehet në një intervistë për A1Report Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimit Irma Baraku.
 
“Ka shtete të cilat thjesht nuk e dënojnë, por nuk angazhohen në rregullimin e një veprimtari të tillë. Shfuqizimi i këtij neni nuk sjell legalizimin, nuk sjell as krijimin e shpive publike. Nuk bëhet fjalë për heqjen e atyre dispozitave që rregullojnë dhe që dënojnë si vepër penale shfrytëzimin me prostitucionin apo trafikimin për këtë qëllim”, thotë zonja Baraku.

irma baraku

Sipas Barakut, prostitucioni ekziston dhe në këto kushte ndryshimet ligjore janë të nevojshme, pasi duke ju referuar dhe ndryshimeve të ndodhura për herë të parë në vitin 2012 ajo kujton se në një ushtrim me vullnet të lirë ishte diskriminuese dënimi vetëm i gruas.

“Kur kemi ndërhyrë në 2012 kemi kërkuar edhe në bazë të parimit të barazisë gjinore sepse dënohej vetëm ai që merrte si të thuash pagesën mirëpo në një aspekt të tillë ne e dimë shumë mirë që kryesisht janë femrat ato që ushtrojnë prostitucionin dhe normalisht klienti ishte ai që bënte sehir, pra trajtohej si një person që kishte dijeni por nuk dënohej për një gjë të tillë. Mirëpo duke fshehur shfrytëzimin e prostitucionit përmes ushtrimit të prostitucionit viktimat e shfrytëzimit të prostitucionit por edhe të trafikimit mund të humbasin shumë mbështetje të tjera sociale për të cilat vet legjislacioni jonë ekziston edhe aty janë këto mundësi”, thotë Baraku për A1 Report.

Por nëse ky nen do të shfuqizohet apo do të mbesë në fuqi, pritet të vendoset nga Gjykata Kushtetuese e cila më 23 prill do të nisë shqyrtimin e kërkesës së Gjykatës së Lartë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)