Barcelona ka bërë një nga goditjet më të bujshme të kësaj merkatoje, duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit spanjoll Rodri (Rodrigo Hernandez Cascante) nga Manchester City me kontratë deri në verën e vitit 2030.
Klubi katalanas ka fituar garën me rivalin e përbetuar, Real Madridin, për shërbimet e 30-vjeçarit, duke arritur marrëveshjen përfundimtare me Manchester Cityn për shumën e 75 milionë eurove (me bonuse).
Negociatat mes palëve nuk kanë qenë të lehta, sidomos për shkak të vështirësive financiare të Barcelonës. Megjithatë, oferta e përmirësuar e klubit katalanas ka bindur drejtuesit e Manchester Cityt për të dhënë dritën jeshile për transferimin.
Barcelona e ka prezantuar zyrtarisht Rodrin përmes kanaleve të saj, duke e cilësuar spanjollin si “dirigjentin e ri të mesfushës”. Transferimi në Katalonjë shënon fundin e një kapitulli shtatë vjeçar të Rodrit te Manchester City.
Spanjolli iu bashkua klubit anglez në vitin 2019 dhe gjatë aventurës së tij në “Etihad Stadium” u shndërrua në një nga mesfushorët më të rëndësishëm në futbollin botëror, duke fituar 13 trofe. Pasi fitoi Evropianin 2024 me Spanjën ai u shpall fituesi i 'Topit të Artë'.
Një nga mesfushorët më të fortë në qarkullim, Rodrigo mund të fitojë edhe këtë vit 'Topin e Artë' pasi u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës 2026, duke ngritur edhe trofeun si kapiteni i Spanjës.
Rodri e nisi karrierën te të rinjtë e Atletico Madridit, për të vijuar më pas te Villarreali. Pas dy sezonesh me 'Nëndetësen e verdhë', ai kaloi për një vit nën urdhërat e Diego Simeones te ekipi i parë i Atleticos, ndërsa në vitin 2019 Manchester City e bëri për vete për shifrën e 70 milionë eurove.
Rodri nuk ka asnjë rrjet social dhe shumë nga tifozët e duan edhe për faktin se ai përqëndrohet vetëm në fushën e lojës.










Komente
Komento