Atmosfera festive ka mbërritur herët në 'Ciutat Esportiva', qendrën stërvitore të Barcelonës. Edhe pse ekipi nuk kishte seancë stërvitore të planifikuar, disa futbollistë u paraqitën për rikuperim pas fitores 2-1 ndaj Eintracht Frankfurt, por i priste një surprizë e veçantë.
Sipas të përditshmes spanjolle 'SPORT', një grup përfaqësuesish të një kompanie nga Emiratet e Bashkuara Arabe vizitoi qendrën stërvitore dhe u dhuroi lojtarëve të pranishëm një iPhone 17 Pro Max të artë, të personalizuar për secilin prej tyre.
Telefonat mbanin të gdhendur emrin e lojtarit, numrin e fanellës dhe logon e Barcelonës. Vlera e një pajisjeje të tillë arrin rreth 3,500 euro pa personalizim, ndërsa me shtesat luksoze kostoja mund të rritet ndjeshëm, duke shkuar deri në shifra të ngjashme me telefonin prej ari që Raphinha i dhuroi një vit më parë Lamine Yamalit, i cili vlerësohej rreth 10,000 euro.
Dhurata erdhi si gjest i papritur, pasi nuk ka asnjë marrëveshje sponsorizimi të konfirmuar mes klubit katalanas dhe kompanisë nga Emiratet. Gjithsesi, surpriza ka sjellë një buzëqeshje të madhe për lojtarët në prag të festave.
Komente





