Çështjet financiare të Barcelonës janë të dokumentuara mirë, me klubin që shpreson të mbledhë fonde të rëndësishme nga shitja e stolave të vjetër të "Camp Nou". Klubi katalanas është duke ndërtuar stadiumin e ri dhe me pjesët e vjetra që nuk do mund të përdoren, ka gjetur një zgjidhje për të rritur fitimet.
Me investimin e ri që kushton 1.5 miliardë euro, Barcelona është duke gjetur mënyra alternative për të shtuar fitimet dhe kështu ka nxjerrë në shitje ulëset. Veç saj, më herët klubi ka shitur edhe barin e fushës në copa të vogla, apo ka hapur stadiumin për çiftet që kanë pasur dëshirë të zhvillonin dasmën në fushën e "Camp Nou", kjo detyrimisht për një çmim të përcaktuar.
Me klubin që kërkon fonde në çdo mënyrë dhe tifozët që duan një pjesë të historisë së skuadrës, të dyja palët kanë treguar se ky biznes është me vlerë. Deri në këto momente çmimi më i lartë i ofruar për një pjesë stoli ose për një pjesë nga stadiumi i shembur "Camp Nou" ka shkuar deri në 299 euro dhe më i liri 99 euro.