Barcelona planifikon të ndalojë dhënien me qira të apartamenteve për turistët

Barcelona planifikon të ndalojë dhënien me qira të apartamenteve për turistët

Turistë në Barcelonë

Barcelona planifikon të ndalojë dhënien me qira të apartamenteve për turistët me qëllim që të zbusë krizën për shtëpi në qytet, e cila sa vjen dhe përkeqësohet. Autoritetet lokale synojnë që 10 mijë apartamentet që jepen me qira aftatshkurtra në pikën kryesore turistike të Spanjës, të jenë në dispozicion të banorëve vendas, që ankohen për çmimet e larta.

Kjo është Barcelona në një ditë të nxehtë vere. Ajo është pika kryesore turistike e Spanjës. Me miliona turistë dynden çdo vit për t’u njohur me arkitekturën, ushqimin, detin dhe historinë e qytetit.

Në Barcelonë jetojnë 1.6 milionë banorë, por vitin e kaluar, qytetin e vizituan 26 milionë turistë, shumë prej të cilëve qëndruan në apartamente me qira.

Edhe pse turizmi zë 15 për qind të ekonomisë së tij, banorë të qytetit të Barcelonës dolën në rrugë për të protestuar kundër numrit të lartë të vizitorëve, që ka çuar në një rritje tejet të lartë të qirave për vendasit.

Gjatë një proteste kundër turistëve në rajonin Las Ramblas në Barcelonë këtë muaj, disa protestues lëshuan thirrje si “shkoni në shtëpi” dhe lagën me pistoleta me ujë turistët që ishin ulur në tavolina në ambjente të hapura.

Çmimet e pasurive të paluajtshme në Barcelonë janë rritur me një mesatare prej 38 për qind gjatë dekadës së fundit, një periudhë në të cilën qiraja mesatare u rrit me 68 për qind, sipas autoriteteve bashkiake.

Në përgjigje të krizës së strehimit, zyrtarët e Barcelonës u zotuan të frenojnë të gjitha qiratë afatshkutra deri në vitin 2028 me shpresën për rregullimin e situatës.

Nënkryetarja e bashkisë Laia Bonet thotë se qyteti e do turizmin, por duhet të bëjë gjithçka është e mundur për të ndihmuar banorët që përballen me rritjen e madhe të qirave dhe çmimeve të pasurive të paluajtshme.

“Në Barcelonë sot kemi 10,000 shtëpi që kur u ndërtuan, u ndërtuan duke menduar se do të shërbenin për banim, për të jetuar një familje dhe sot po u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të vizitorëve të qytetit”, thotë ajo, duke iu referuar 10,000 apartamenteve që aktualisht jepen me qira afatshkurtra.

Zbatimi planeve për të mos rinovuar licencat për qiratë afatshkurtra të apartamenteve pas mbarimit të afatit, sipas zonjës Bonet do të "krijonte mundësinë që të kishte më shumë njësi banimi në dispozicion”.

Banorët, si 68- vjeçarja Esther Roset dhe fqinjë të saj i mirëpresin plane të tilla

“Vitet e fundit këtu është bërë katastrofë, pasi kanë dhënë me qira apartamente pushimi pa pyetur fqinjët dhe administratori i pronës nuk na ka thënë gjë”, thotë ajo.

Zonja Roset thotë se një kat ku banon ajo jepet si apartament pushimi dhe se disa vizitorë kanë qenë të zhurmshëm.

"Me kalimin e kohës është përkeqësuar ", thotë ajo.

Megjithatë, pronarët e apartamenteve kanë në plan ta kundështojnë vendimin, duke argumentuar se eliminimi i qirave afatshkurtra do të kërcënonte jetesën e tyre dhe do ta linte qytetin pa hapësira të mjaftueshme për strehim të përkohshëm. Rreth 2.5 milionë turistë qëndruan në apartamente vitin e kaluar, sipas Shoqatës së Apartamenteve Turistike të Barcelonës, e njohur gjithashtu si Apartur.

“Nëse bllokohen qiratë afatshkutra për 10,000 apartamente, qyteti do të ketë një problem të madh, veçanërisht për të organizuar disa lloje ngjarjesh që kërkojnë shumë dhoma”, shpjegon Marian Muro, drejtore e Apartur-it.

Vendimi në Barcelonë u bë i mundur pasi qeveria e rajonit verilindor të Katalonjës, kryeqytet i të cilit është Barcelona, miratoi një ligj që parashikon se licencat aktuale për apartamentet turistike do të skadojnë brenda 2028 në të gjitha ato zona ku ka mungesë banesash të përballueshme.

Partia opozitare konservatore e Spanjës e ka dërguar ligji rajonal në Gjykatën Kushtetuese të vendit, duke argumentuar se ai cënon të drejtat e pronës dhe lirinë ekonomike.

Bonaventura Durall drejton një kompani që zotëron dhe jep me qira 52 apartamente pranë bregdetit të Barcelonës.

Dyzet prej apartamenteve gjenden në një ndërtesë që kompania e tij dhe të tjerë e ndërtuan në vitin 2010 për të shfrytëzuar industrinë në rritje të qirave afatshkurtra.

Ai thotë se plani i bashkisë është i padrejtë dhe e vë në rrezik biznesin dhe 16 punonjësit e tij.

"Njerëzit kanë investuar, kanë hapur vende pune, kanë gjeneruar taksa dhe kanë gjetur një mënyrë për të siguruar të ardhura, dhe tani ata po i japin fund kësaj”, thotë ai.

Kritikët thonë gjithashtu se ky veprim në mënyrë të pashmangshme do të krijojë një treg të zi për qiratë afatshkutra.

Studimet tregojnë se Barcelona ka nevojë për rreth 60,000 njësi të reja banimi për të përmbushur kërkesat aktuale./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite