Dilema se kujt i përket drejtimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, apo të shkarkuarit prej tij Gazment Bardhit, shkaktoi sërish tension në Kuvend. Do të mjaftonte leximi nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla i njoftimit se Basha ia delegonte detyrën e kreut të grupit parlamentar, deputetes Flutura Açka që të niste përplasja me Gazment Bardhin, i cili pretendon se ende mban drejtimin në parlament të deputetëve demokratë.
“Grupi i PD nuk ka bërë asnjë ndryshim të kryetarit. Për anëtarët e grupit të PD është e papranueshme që maxhoranca të ndërhyjë në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD-së”, thuhet në letrën e Gazment Bardhit drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
![]()
Bardhi thotë se kreun e grupit e përcaktojnë vetë deputetët ndërsa akuzoi kryeparlamnetaren se po provokon opozitën. Në një letër drejtuar Nikollës më parë ai e njoftonte se asnjë ndryshim në rregullore dhe në drejtimin e grupit parlamentar të PD nuk ishte bërë.
Bardhi: Ka 10 ditë e thotë po pres konsulencën juridike. Doni të na diktoni 50 deputetëve të opozitës që nuk do e zgjidhni ju kryetarin tuaj por ne. Prandaj ke thirrur në konsultim kryetarin e PS. Nënkryetarin e parlamentit Felaj
Nikolla: Nuk rrini tek vrima e çelësit...
Bardhi: Duhej të prisje kryetarin e grupit PD e të mos presësh lloj jlloj zari në zyrë.
Ky moment, krijoi tension edhe mes Bardhit, e deputetit Arbi Agalliu, që mbështet Lulzim Bashën.
Ndaj Bashës, një koment ironik erdhi edhe nga deputeti Agron Gjekmarkaj.
“Ne për fat të keq kemi pasur shumë probleme me matematikën, 7 herë 78 bëjnë 42 dhe s’na kanë dalë mirë llogaritë për 10 vite. Në fakt matematicieni në fjalë ka vetëm 7 numra dhe s’ka me ca e shumëzon që të behën 49”, tha Gjekmarkaj.
Kuvendi pritet të flasë përmes drejtorisë juridike fjalën e fundit se vendimet e kujt do të njohë, ato të Lulzim Bashës që drejton PD-në dhe vulos për të, apo Gazment Bardhit që aktualisht ka mbështetje më të madhe të deputetëve të opozitës.

