Deklarata e Drejtuesi Politik të PD në Elbasan, Gazment Bardhi i cili justifikoi vrasjen e Pjerin Xhuvanit, nga truproja e tij Arbër Paplekaj, duket se ka shokuar dhe revoltuar qytetarët.
Qytetarët kanë lënë një “lumë” komentesh “masakruese” kundrejt Bardhit dhe justifikimeve të tij të pajustifikueshme.
Ngjarja e rëndë ku ka mbetur i vrarë Pjerin Xhuvani ndodhi gjatë ditës së djeshme rreth orës 2, në rrugën “5 maji” në qytetin e Elbasanit, nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Lidhur me këtë ngjarje që tronditi vendin ditën e djeshme, në një deklaratë për mediat ka reaguar drejtuesi politik i PD në Elbasan, Gazmend Bardhi i cili u shpreh se vrasësi Arber Paplekaj "është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Strukturat e Mbrojtes së votës, kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit".