Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi tha sot se hetimet e Prokurorisë së Posaçme për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, të cilat çuan në ngritjen e akuzës dhe për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, dëshmojnë qeverisjen primitive dhe abuzuese me pushtetin. Bardhi i cili citoi elementë që sipas tij janë pjesë e dosjes hetimore, deklaroi se Rama nuk po e shkarkon Ballukun, pasi, në këtë rast, të dy bashkë janë arkitektë të korrupsionit
Për demokratët, është e qartë se fatura e korrupsionit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë është 50 milionë euro.
“Ka qenë Balluku që ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit vetëm se ishte 50 milionë euro më pak sesa llogaritë korruptive që kishte bërë ajo. Është Balluku që ka komunikuar me kompaninë turke disa ditë përpara tenderit, duke bërë fakt të kryer fitimin e tenderit nga kompania turke”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi lexoi pjesë nga dosja hetimore, që sipas tij provojnë si i lëvizi ministrja e infrastrukturës fijet e tenderit, për të fituar kompania turke.
“Dosja provon si u paracaktua kompania turke. Balluku dirigjonte me paaftësi mbresëlënëse, me telefon, e tek takimet në shtëpi me stafin e saj për të bërë llogaritë e ndarjes parave korruptive. Balluku emëroi personalisht Drejtorin e Rrugëve për aferën e Llogarasë. Dosja provon si u vendosën me telefon kriteret për kompaninë që donte Rama dhe Balluku”, tha Bardhi.
Bardhi bëri bashkëpërgjegjës, si kryeministrin, ashtu edhe zëvendësen e tij. Sipas Bardhit, Rama po e mban akoma Ballukun si numri dy i qeverisë që të ketë pushtet të pastrojë provat.
“Rama nuk guxon ta shkarkojë Ballukun. Rama që ditën flet për Evropën dhe natën mbron korrupsionin, me heshtjen e tij është kthyer në avokat të Ballukut, As nuk e shkarkon, as nuk ka folur një fjalë e as nuk është distancuar nga këto prova, por vazhdon ta mbrojë duke i provuar çdo shqiptari që nuk është vetëm Balluku, por dhe ai bashkëpërgjegjës. Ai është arkitekti politik i korrupsionit”, tha Bardhi.
Kreu i demokratëve në parlament përjashton tezën se gara u përshtat që të fitohej nga dy kompani turke, për t’i bërë favor presidentit Erdogan.
“Gjeopolitika nuk mund të justifikojë korrupsionin. BE na kërkon garë të barabartë, pse duhet t’ja bëjmë qokën Erdoganit dhe jo presidentit të SHBA?” tha ndër të tjera, kreu i grupit të PD në konferencën për shtyp.
Komente












