Bardhi me sipërmarrësit në Elbasan: Biznesi në krizë, ne do rikthejmë normalitetin

Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi, u takua me pronarët e hoteleve dhe shërbimeve në zonën e Llixhave në Elbasan, ku tha se problemet me bizneset dhe rritjen e kostove të tyre e shikon kudo në çdo biznes në gjithë qarkun. Bardhi tha se në këto 8 vite janë rritur taksat dhe tatimet dhe se gjatë pandemisë biznesin vuajti pasoja të rëndë që çuan edhe në shkurtim të stafit  pasi nuk mbulonin dot kostot.

“Unë nuk kam ndërmend të zgjatem shumë për të thënë çfarë ka ndodhur këto 8 vite, se jam i sigurt që atë e dini ju më mirë sesa unë. S’ka nevojë të vij unë për t’iu thënë: E para që jeni shumë më në vështirësi sesa keni qenë më parë, e dyta, s’keni parë kurrë dorën e zgjatur të shtetit për t’iu mbështetur, e treta, ju kanë renduar me taksa, tatime e me çmime të rritura. Prandaj edhe fokusi ynë, program dhe plani ynë i punës, është përqendruar tek ekonomia dhe biznesi, edhe për faktin që ka qënë që ka vuajtur më shumë pasojat e keq-qeverisjes. Kudo ku kemi shkuar, në çdo biznes, na rezulton që e mbajnë hapur vetëm pronarët apo i zoti, sepse çdo punonjës që kanë pasur,  i kanë shkurtuar e i kanë hequr nga puna për shkak të pamundësisë dhe kostove. Ju e keni ndjerë vetë, nuk keni parë gjatë këtij viti të vështirë dorën e shtetit, por besoj biem dakord të gjithë që vështirësitë nuk nisën këtë vit. Pandemia thjesht e nxori në sipërfaqe të gjithë atë model keqqeverisje që e shikonte biznesin si armik apo si mundësi për të shkuar për të marrë atë “kafen”, apo për ta kapur në gabim e për ta gjobitur. Edhe nëse do t’i kishim paguar ato gjoba e të kishim marrë ndonjë shërbim, po ja bënim hallall. Mundësisht taksat tuaja, edhe tonat bashkë, shkojnë për të hequr pllaka e për të vënë pllaka në qendër të Elbasanit, gjë që nuk është as zhvillim, as punësim e as mirëqenie por është thjesht fasadë, prandaj fokusi ynë është mbështetja ndaj biznesit. Sa më shumë lekë të keni ju në xhep, aq më i fortë është shteti, aq më mirë është ç’do shqiptar”, u shpreh Bardhi.

Bardhi thotë se me ndryshimin që po vjen me 25 prill, kjo gjendje nuk do të vijojë më kështu, pasi PD do të ul taksat do rikthejnë normalitetin. Sipas Bardhit degradimi që ka ndodhur në këto tetë vite, ka nevojë për ndërhyrje emergjente, veçanërisht te biznesi, te ekonomia.

“Prandaj duhet ulja e taksave dhe tarifave vendore që kanë ardhur nga 2013-ta e deri më sot, ç’do vit në rritje, a thua se ekonomia është rritur, a thua se biznesi fiton më shumë, ndërkohë që realiteti është i kundërt. Në tetë vite, fitimet tuaja kanë ardhur në rënie, ndërkohë që taksat dhe tarifat, tatimet, kanë ardhur në rritje. Ju premtuan uljen e çmimit të energjisë elektrike…dhe në arrogancë e sipër, del në televizor e thotë: “E kam ulur çmimin e energjisë elektrike!”, a thua se nuk i paguani vetë ju faturat e energjisë dhe nuk e dini që paguani të paktën dyfish më shumë se në 2013-tën. Prandaj ulja e tatimeve – një, ulja e çmimit të energjisë elektrike – dy dhe marrëdhënia e partneritetit me biznesin real, jo me një grusht njerëzish që mbushin dhe fryjnë xhepat e tyre…do të ndodhë pas 25 Prillit. Kemi absolutisht nevojë për ju, sikundër jam i sigurt që ju keni nevojë për shtetin, për ta pasur në krah pas 25 Prillit, sepse degradimi që ka ndodhur në këto tetë vite, ka nevojë për ndërhyrje emergjente, veçanërisht te biznesi, te ekonomia. Ajo që vjen pas 25 Prillit është shansi i fundit për këta të rinj dhe brezin tim apo edhe më të rinj, për të vendosur nëse duhet të jetojmë në këtë vend apo të marrim valixhet dhe të ikim jashtë vendit. Nuk ka shans tjetër, ne kemi një betejë në 25 Prill, betejë që me ndihmën tuaj dhe ç’do shqiptari që e do më shumë vendin e vet sesa partinë, do ja dalim dhe do e fitojmë, por sfidë dhe betejë reale kemi atë që vjen mbas 25 Prillit. Do të duhet dhe do të bëjmë realitet atë ndryshim që kemi marrë angazhim gjatë këtyre ditëve të fushatës. Nuk kanë më njerëzit, as nerva dhe as kohë për t’u zhgënjyer e për të kaluar nga zhgënjimi në zhgënjim. Boll! Ne i kemi të gjitha mundësitë që ju të zhvilloni atë biznesin tuaj, shtetin ta keni në krah, të punësoni ca djem e vajza të kësaj zone, që të mos largohen, e në këtë mënyrë të krijojmë një normalitet në familjet e gjithësecilit, sepse këtë kërkon shumica dërrmuese, e jam i bindur, secili prej jush. Nuk kërkon njeri as të vërë miliona e as të hajë me lugë floriri mbas katër vitesh. Le ta mendojmë 25 Prillin jo si betejë politike por si betejë për veten tonë e për familjet tona, sepse realisht kjo është beteja që kemi. Ne nuk kemi betejë politike, nuk kemi betejë me socialistët, kanë vuajtur njëlloj si ne. Ata edhe socialistët i kanë shkelur me këmbë. Prandaj kemi betejë me një njeri që është atje në krye e nuk mendon për tre milionë shqiptarë, por mendon vetëm për veten e vet”, tha Bardhi.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren