Lidhur me kërkesën e PD për mocionin me debat për rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Gazment Bardhi tha se qeveria refuzon për t’iu shmangur ‘skanerit’ të PE.

“Na e servirët miratimin e rezolutës si arritje historike të Shqipërisë në procesin e integrimit europan, sot refuzoni të flasim për rezolutën e PE. Sot keni refuzuar me votë vetë PE. Jo thjesht sepse refuzoni debatin, por skanerin që PE i ka bërë qeverisë. Skaneri ju ka nxjerrë të sëmurë. Ju vuani nga sëmundja e rëndë e vjedhjes së zgjedhjeve, së taksave, korrupsionit, krimit të organizuar, thotë PE. Vetëm Rama ka frikë nga kjo rezolutë. Eurodeputetët grisën email-in e Taulantit dhe votuan për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Sot s’flasim për rezolutën e PE sepse do të dalë që email-i i kolegëve është grisur dhe hedhur në kosh”, tha Bardhi.

Ai shtoi se raporti i Komisionit Europian rendit një sërë problematikash të qeverisë duke përsëritur edhe ndikimin e mbrojtjes së imunitetit të Belinda Ballukut në procesin e anëtarësimit.

“Nëse ai raport siç ua keni shitur çdo shqiptari në mënyrë të gënjeshtërt, si ka mundësi që nuk thoni hajde ta bëjmë debatin. Duhet ta nxisnit ju. Ligji na thotë kur vjen për të raportuar Këshilli i Ministrave për ecurinë e negociatave, Kuvendi bën debat dhe miraton një rezolutë. Ju refuzoni debatin sepse ua nis raporti i Komisionit Europian me vjedhjen e zgjedhjeve, përdorimin e administratës në zgjedhje, mbrojtjen ndaj korrupsionit me mbrojtjen ndaj ish-zv. kryeministres se thatë nuk ndikon, ja pra që u mbroka. S’mund të mbrohet me votë politike në parlament një person i korruptuar sepse kjo e minon rrugën e Shqipërisë në BE”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Rrëzohen kërkesat e PD për interpelancë me Ramën dhe mocion me debat për protestat! Balla: S’ju pranojmë si ndërmjetës