Janë 8 projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë gjatë vitit 2025 të institucioneve të pavarura që mbizotërojnë rendit e ditës në seancën e sotme të parlamentit.
Konkretisht do të shqyrtohen projektrezolutat për Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Departamentin e Administratës Publike, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Prokurimit Publik, Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.
Ndërkohë një grup protestuesish janë mbledhur para Kuvendit, pas paralajmërimit të një dite më parë duke u bërë ‘pritë’ deputetëve. Në momentin që deputetët e opozitës po hynin brenda, ata thirrën “opozitë e shitur.” Gjithashtu kanë vijuar me thirrjet për anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe “Rama në burg, Berisha në burg.”
Ndërkohë, kërkesa e PD për interpelancë me Ramën për protestat u rrëzua me 23 vota pro dhe 75 kundër.
Rendi i ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 30.6.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.6.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji "Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë".
4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025".
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025".
6. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025".
7. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025".
8. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025".
9. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025".
10. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025".
11. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025"
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Lajm në përditësim...

Taulant Balla u ktheu përgjigje deputetëve të PD për deklaratat e tyre lidhur me protestën që mbahet prej një muaji para kryeministrisë. Shefi i grupit parlamentar socialist u tha se protestuesit u kanë marrë sheshin dhe ata duan t’u bashkohen.
Balla tha se PD e sheh protestën si shpëtim nga Berisha dhe tashmë janë të mundur prej saj, por PS nuk mposhtet dot.
“Axhendën e parlamentit e përcakton vetëm vota dhe interesi kombëtar. Demokracia është sistem që merr frymë vetëm përmes parlamentarizmit. Parlamenti është vendi ku forca e argumentit duhet të mbizotërojë mbi argumentin e forcës. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe doni që të bashkoheni me ata që ju kanë marrë sheshin, edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin. Dëgjova këtu një deputetin tuaj që në një lojë fjalësh për emrat e forcave tona politike, ra në kurthin e harresës mbi faktin se sot në krye të PD është një sekretar partie. I vetmi sekretar partie në krye të një partie politike sot në Shqipëri. Njëkohësisht edhe varkëtari i Enver Hoxhës që gëzohej kur ai i jepte dorën. Mes jush, edhe nga ata që gëzojnë kur thirret “Berisha në burg.” Ka mes jush nga ata që doni të ikë Saliu dhe shpresoni ta bëjë protesta. Juve protesta ju mundi, por ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, tha Balla.
Më tej, ai foli edhe për Dritan Goxhajn, për të cilin tha se “nuk ka shërbyer asnjë ditë në UÇK”, për të cilin akuzoi opozitën se u përpoq të përdorte dokumentin e OVL-UÇK për qëllime politike.
“U them protestuesve mos lejoni t’jua vjedhin protestën”, tha Balla duke shtuar:
“Protesta është privatizuar nga një grup shumë i vogël pa asnjë lloj legjitimiteti publik. Në çdo vend që kanë ndodhur ngjarje të tilla, elementë me program kriminal përfshihen”, u shpreh ai.
Balla ‘ia shoi’ shpresat PD për të gjetur shpëtim te protesta.
“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Fryma e protestës është anti-establishment për ata që e kuptojnë. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re, ndërkohë që ne PS e kemi shumë të re. Mund të lindin vetëm parti ideologjike”, tha ai.
Me 75 vota kundër dhe 19 pro, u rrëzua mocioni me debat i kërkuar nga PD për 5 kërkesat e protestuesve.

Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga grupi parlamentar i PS, është zëëndësuar edhe në Komitetin e Stabilizim Asociimit. Ishte kryeparlamentari Niko Peleshi që njoftoi se Koçeku do të zëvendësohet me deputetin e PS, Erjon Malaj.
“Në komitetin parlamentar për stabilizim asocimin, deputetja Marjana Koçeku, largohet si anëtare dhe caktohet deputeti Erion Malaj.”, tha ai.
Në një prononcim për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj, deputetja e PS Elisa Spiropali tha se po punon për draftin për Shqipërinë e re. E pyetur nëse do të largohej nga partia si Marjana Koçeku, pas pakënaqësive që ka shprehur për drejtimin e kryeministrit Edi Rama, Spiropali tha se vendi i saj është në PS dhe ato që i kanë bërë dëm partisë, të shkojnë aty ku e kanë vendin.
“Jemi duke punuar. E rëndësishme është ajo që do të bëjmë për Shqipërinë. Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem gjithmonë në PS. Në PS duhet të jetë të gjithë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e knë bërë historikisht, e kanë bërë sot. Ato që i kanë sjellë dëme PS le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, tha Spiropali.
Kryeparlamentari Niko Peleshi refuzoi kërkesën për inteperlancë urgjente të Gazment Bardhit me kryeministrin Rama për 5 kërkesat e paraqitura prej protestuesve. Peleshi tha se çështjet kanë natyrë legjislative dhe jo me kërkim shpjegimesh.
“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave.
Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.
Në arsyetimin e tij para Kuvendit, Bardhi tha se Peleshi po mbron kryeministrin nga llogaridhënia, ndërsa vijoi me akuzat ndaj këtij të fundit.
“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj. Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ju sot zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin. Rama është peng i krimeve shtetërore dhe besoj se e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse është peng i sistemit që ka ndërtuar vetë. Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer që e bën duke shitur copa të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Më pas, ai vendosi celularin te mikrofoni i podiumit për t’i treguar kryeministrit kërkesën e “shumicës së qytetarëve që protestojnë prej 30 ditësh” duke luajtur një video ku dëgjohej fraza “Rama jepe dorëheqjen.”
Duke iu drejtuar Arkend Ballës që foli nga vendi, Bardhi i tha:
“Arkend, në burg do të shkojnë Troplinët, ato që të kanë sjellë ty këtu. Uroj shumë t’u shkosh nga mbrapa”, përfundoi ai.
Me votimin e Kuvendit, kërkesa për interpelancë u rrëzua me 23 vota pro dhe 75 kundër.
Ndërsa në Kuvend mbahet seanca e radhës plenare, një grup protestuesish janë mbledhur jashtë godinës në protestës. Tubimi ishte paralajmëruar një ditë më parë pas protestës të përnatshme te Kryeministria, ndërsa protestuesit në kor thërrasin ‘Rama në burg, Berisha në burg”. Ata kërkojnë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Komente
Edhe sot do te kemi teatro shfaqa e radhes fillon Bardhi,pason Noka,triblin Balla,komenton shfaqen,Tabaku,ngren humorin e teatrit,plaku mere dhe perbyll shfaqen Pelishi.
Përgjigju