Ndërsa mori fjalën për të kundërshtuar projekt-kalendarin e Kuvendit, Gazment Bardhi tha se s’mund të miratohet për sa kohë nuk përfshihen kërkesat e protestuesve që ndodhen jashtë parlamentin. Bardhi kërkoi menjëherë ndalimin e dhunës së efektivëve ndaj protestuesve, teksa u tha deputetëve se nëse kanë frikë, të mos vijnë në Kuvend.

Ai iu drejtua edhe Taulant Ballës duke i thënë se ka frikë se mos vezët i bëjnë pis kostumin e shtrenjtë.

“Së pari, ky Kuvend duhet t’i kërkojë Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë. Është e parapranueshme që sot godina e kuvendit në një perimetër të zgjeruar a thua se qytetarët tanë na rrezikojnë ne. Pa diskutim Taulant rrezikojnë të të bëjnë pis kostumin me vezë, e di që e ke të shtrenjtë. Policia duhet të verifikojë markën e kostumit tënd dhe ku i ke gjetur paratë për atë kostum të shtrenjtë. Dhunën ndaj qytetarëve, përdorimin e mjeteve disproporcionale ndaj protestuesve. Nuk e nderon atë që po bën Policia e Shtetit jashtë Kuvendit. Askush nga ne nuk duhet të jetë kundër qytetarëve. Ne duhet t’i marrim shumë seriozisht kërkesat e tyre, t’i bëjmë pjesë të kalendarit të punës dhe jo të rrimë në heshtje kur ata dhunohen. Zotrote, si gjithë ne të tjerët ke hyrë krejt lirshëm në sallën e seancave plenare, nuk të kanë rrezikuar qytetarët dhe as vezët. Pse e keni vënë perimetrin deri te Rruga e Elbasanit a thua se kush po hyn? Do të hynit ju! E keni kërkuar ju mbrojtjen? Frika juaj nuk mund të justifikojë kurrë dhunën ndaj qytetarëve! Nëse keni frikë nga qytetarët, mos hajdeni në Kuvend! Fshihuni dhe bëni mirë se u keni marrë shpirtin për 14 vjet! Frikën tuaj mos ia impononi Kuvendit të Shqipërisë, qytetarëve! Kostumet tuaja të shtrenjta që keni hall se ua bëjnë pis me vezë mos i përdorni për t’u justifikuar! Të dhunosh të rinjtë, të moshuarit dhe të përdorësh ndaj tyre mjete disproporcionale është shkelje flagrante e Kushtetutës, e ligjit! Frika e këtyre është ligji i shtetit! Kanë frikë këta, urdhërohen 2 mijë punonjës policie të dhunojnë qytetarët! Çfarë Kuvendi është ky? Ky nuk është Kuvend, është strehë, bunker i atyre që dhunojnë qytetarët!”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

Debate në Kuvend për protestën! PD: Dhunuat protestuesit! Balla: Terroristë të lidhur me Iranin, sulmuan policët, distancohuni nga dhuna