Në kulmin e sezonit turistik, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi Portin e Durrësit për të parë nga afër masat e marra për përballimin e fluksit të udhëtarëve gjatë muajve të verës.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 në Portin e Durrësit janë përpunuar rreth 800 mijë pasagjerë dhe pritshmëria është që edhe këtë vit fluksi të mbetet në të njëjtat nivele.
“Jemi në kulmin e sezonit turistik. Në vitin 2025 në Portin e Durrësit janë përpunuar 800 mijë pasagjerë. Mendojmë se do të kemi të njëjtin numër edhe këtë vit. Është i rëndësishëm zbatimi me përpikmëri i planit të masave që Autoriteti Portual i Durrësit, por edhe Drejtoria e Përgjithshme Detare, kanë marrë, pasi detyra jonë është që ta bëjmë sa më të thjeshtë hyrjen në Shqipëri të turistëve dhe shqiptarëve që vijnë nga larg”, deklaroi Karakaçi.
Gjatë vizitës, ai shoqërohej edhe nga drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, i cili theksoi se ky sezon po paraqitet po aq i ngarkuar sa ai i vitit të kaluar.
“Kemi 30 pika në të cilat procesohen automjetet dhe udhëtarët. Janë marrë masat që të përballohet fluksi. Ky vit është po aq i dendur sa ka qenë viti i kaluar. Janë marrë masa për punën e mirëmbajtjes së terminalit nga brenda. Deri tani, po procesohet gjithçka në mënyrë shumë të shpejtë dhe të rregullt. Me masat që janë marrë, deri tani çdo gjë po shkon mirë. Ky terminal është i shpejtë dhe i organizuar mirë.”, u shpreh Aliu.
Si Karakaçi ashtu edhe Aliu theksuan se zbatimi i planit të masave mbetet kyç për të garantuar një proces sa më të shpejtë dhe të rregullt për të gjithë pasagjerët që hyjnë në vend përmes Portit të Durrësit.
Komente








