TIRANË- Para Kuvendit, ku sot zhvillohet seanca e fundit plenare e kësaj legjislature, protestuesit janë mbledhur sërish në protestë. Policia ka marrë masa për rrethimin e Kuvendit në një perimetër që shkon nga “Rruga e Elbasanit” te Ministria e Brendshme, një perimetër më i gjerë sesa herët e tjera.
Protestuesit kanë arritur të heqin një pjesë të gardhit metalik duke u përplasur me policinë dhe duke i qëlluar ata me vezë e domate.
“Deputetë frikacakë”, thërrasin protestuesit.
Ata vijojnë edhe me thirrjet e njohura të protestës si “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit” e “Poshtë qeveria.” “Nuk na përfaqësoni”, janë shprehur protestuesit që kërkojnë paralelisht dorëheqjen dhe arrestimin e kryeministrit Rama.
Ndërkohë ambasada amerikane ka reaguar lidhur me tubimin duke u bërë thirrje qytetarëve të saj të tregojnë kujdes pasi mund të kthehet në protestë të dhunshme.
Lajm në përditësim...
Taulant Balla ka ndarë një video të një efektivi policie të lënduar nga sulmet e protestuesve. Polici shihet i gjakosur në kokë, ndërsa Balla e quan protestën “terrorizëm.”
“Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkruan ai.

Policia është kundërpërgjigje me ujë dhe spraj me piper ndaj protestuesve, të cilët i qëlluan me vezë e domate.

Protestuesit po përpiqen të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në “Rrugën e Elbasanit.” Ata përpiqen të kalojnë kordonin e policisë duke dalë përpara makinave dhe thërrasin "Bashkohuni me ne!"
“Fikni makinat”, thërrasin ata, teksa përplasen me policinë që ndërhyn për t’i larguar dhe shmangur kaosin e trafikut.
Protestuesit e kanë bërë gati arsenalin e vezëve që do të përdorin në protestën para Kuvendit. Disa prej tyre, siç shihet edhe në këto pamje, po çojnë në protestë arka të mbushura me vezë, të cilat i mbajnë në krah apo me motor.
Një efektiv është lënduar nga sulmet e protestuesve para parlamentit. Nuk është e qartë se çfarë e ka goditur policin. Protestuesit deri më tani kanë përdorur vezë, bidonë e domate.
Protestuesit kanë hequr gardhin metalik para parlamentit për të përçarë kordonin e sigurisë. Ky moment shënoi edhe përplasjen e tyre të parë me policinë. Më pas kanë vijuar të hedhin vezë, domate e bidonë drejt efektivëve, edhe pse janë bërë thirrje për të mos sulmuar policinë.
Tani gardhi metalik te pedonalja është hequr dhe ka mbetur vetëm kordoni i sigurisë i krijuar nga forcat e policisë. Pranë ndodhen edhe autobotet në ujë, në gatishmëri për neutralizimin e situatës.
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë lidhur me protestën e lajmëruar sot përpara Kuvendit. Ambasada thotë se mund të ketë protesta të tjera edhe në vijim ndërsa thekson se pavarësisht se mund të nisin paqësisht, situata ndryshon.
Njëkohësisht, i lajmëron se para dhe pas protestave ka kufizime lëvizjeje dhe masa sigurie të shtuara, ndërsa personelit amerikan i kërkohet të shmangë zonat e tubimit. Në një sërë këshillash të renditura, e para theksohet shmangia e demonstratave nga qytetarët amerikanë.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në Rrugën George Ë. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërmjet Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat.
Forconi masat për sigurinë tuaj duke ndjekur këto këshilla:
- Veprimet që duhen ndërmarrë:
- Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin demonstratat.
- Qëndroni të vetëdijshëm për mjedisin që ju rrethon.
- Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve, kur ndodheni në vende publike.
- Ndiqni mediat lokale për përditësime.
- Gjithmonë keni një plan emergjence ose një strategji për t'u larguar në rast nevoje.
- Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Teksa pas pak pritet seanca plenare, Kuvendi është rrethuar me gardhe metalike, në një perimetër më të gjerë sesa herët e tjera. Momentalisht, veç qytetarëve e automjeteve, as media nuk po lejohet të hyjë brenda territorit të rrethuar nga “Rruga e Elbasanit” drejt pedonales dhe Ministrisë së Brendshme. Masat vijnë pas sulmeve me vezë të së hënës nga protestuesit drejt deputetëve dhe sot pritet protesta e radhës.
Komente










