Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se iniciativa e qeverisë për të dekriminalizuar shpifjen në Kodin Penal për gazetarët ka boshllëqe praktike për zbatimin e tij. Sipas Bardhit, gazetari nuk është një profesion i rregulluar me ligj dhe për rrjedhojë nuk ka si gjen zbatimi kriteri që nga dekriminalizmi i shpifjes do të përfitojnë gazetarët e regjistruar, pasi këta të fundit nuk kanë se ku të regjistrohen si të tillë. Kjo sipas deputetit demokrat sjell pamundësinë e organeve ligjzbatuese për të saktësuar se kush është gazetar dhe kush jo.
Gjithashtu, Bardhi tha se Shipëria është i vetmi vend në Europë që penalizon me dënim me burg parkimin dysh, dhe shtoi se kjo nuk është e nevojshme pasi tashmë legjislacioni shqiptar ndëshkon pengimin e mjeteve të transportit.
"Sot kemi ardhur në një tjetër standard, kemi ardhur në stadin kur kërkesa ndaj Shqipërisë na kërkon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe nuk po u hy argumenteve që po përmend më pas. Ky vend ka marrë angazhimin për të reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për këtë le të referohemi Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Vini këtu dhe shikoni si standard diçka që nuk e ka asnjë vend tjetër. Ju thoni që nuk do të mbajnë përgjegjësi për shpifje gazetarët që janë të regjistruar, por ky Kuvend e di që profesioni i gazetarisë nuk është i rregulluar. Kush do ta ndajë kush është gazetar, kush nuk është gazetar, ku futen analistët, etj.
Cili është problemi juaj që shpifja të jetë një shkelje civile, që edhe ajo në Kodin Civil duhet të trajtohet me standardet më të mira ndërkombëtare",- tha Bardhi.
"Ne e kemi vepër penale pengimin e mjeteve të transportit, me çfarëdo lloj mjeti e kemi sot vepër penale. Në asnjë vend të BE-së parkimin dysh e kriminalizojnë. Nëse parkohet makina dysh në një vend ku ndërtohet kulla, po s’ka një rrugë të re, zihen hapësirat publike, po nuk ka një zgjerim rruge në asnjë qytet, kemi mbetur akoma me rrugët dhe bulevardet që kemi pasur para viteve ’90, ama po parkove dyshe se ke një hall 2 minuta apo 3 minuta, apo po vodhe 50 milionë euro ti dhe të vish këtu, të ulesh në karrigen e numrit 2 të qeverisë. Qytetari që parkon dysh, me votën e Belinda Ballukut, do të shkojë në burg",- tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Ndryshimet e Kodit Penal në Kuvend, Lamallari: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët, ‘OK’ edhe nga BE! PD: Tërhiqeni, po veproni në fshehtësi












