Deputetët e Sali Berishës dhe ata në krah të Gazment Bardhit u mblodhën sot për herë të tretë në Kukës. Bardhi ra dakord të mbështesë kandidatin e Berishës për Kukësin, Emri Vatën. Ai tha se deputetët vendosën të heqin si kryetar të opozitës në komisionin për reformën zgjedhore Enkelejd Alibeajn dhe të vendosin Oerd Bylykbashin.
Ky “vendim” i marrë në mbledhjen e grupit të Rithemelimit është komentuar sot në emisionin “Repolitix” në Report Tv nën drejtimin e Denis Mingës. Avokati Idajet Beqiri tha se ky vendim është nul dhe se kryetar për reformën Zgjedhore sipas tij vazhdon të jetë Enkelejd Alibeaj derisa të vendosë ta heqë PD-ja zyrtare.
“Duhet të kuptojmë si funksionon shteti. Një shtet demokratik ka si bazë të vetën partitë në radhë të parë. Ato janë organet që i organizojnë edhe zgjedhjet edhe propozojnë deputetë e të tjera dhe kur vijnë deputetët vijnë te partia. Çdolloj vendimarrje në parlamente të tjera, nuk u kërkohen deputetëve hajde mblidhuni por i kërkohet kryesisë. Partia ka një kryetar të regjistruar në gjykatë.
Tani në rastin konkret pak rëndësi ka sepse nuk janë deputetët partia. Deputeti del, e nxori partia dhe nesër thotë dal i pavarur vete në një parti tjetër, ama nuk merr partinë me vete. Derisa partia rri aty, me fjalë të thjeshta këta e dinë shumë mirë si është ligji por në kuadrin e zhurmës dhe absurdeve u intereson të dalin jashtë normave rregullores e të tjera. Bashkëkryetari i reformës zgjedhore është Alibeaj derisa PD zyrtare ta heqë. Bardhi shkoi te Saliu edhe sikur dy deputetë të mbeten te PD, ajo është PD. Këta të tjerët mund të krijojnë parti tjetër dhe pastaj ti propozojnë kuvendit pse duhet të ketë kjo partia kaq anëtarë”, tha ai.
Edhe avokati Leonard Kara vazhdon të ketë të njëjtin mendim, teksa shtoi se vulën e partisë e ka Lulzim Basha dhe është ai që vendos se kush do të drejtojë reformën zgjedhore.
“Kjo histori vazhdon edhe sot e dy vjet kush ishte i pari veza pulën apo pula vezën. Sot ka të drejtë PD, ajo që ka vulën. Pra Lulzim Basha. A është e vogël e madhe apo mikroskopi ajo ka vulën. Kryetarja e Kuvendit nuk zgjedh kryetarin e grupit parlamentar të PS apo PD. Secili e ka vetëdeklarim se kujt grupi duan t'i përkasin. Na rastin konkret ky është realiteti. Sot kryetar i grupit parlamentar të PD në Kuvendin e Shqipërisë është Flutura Açka”, shtoi ai.
Sekretari për Reformën Zgjedhore në PD Rezart Kthupi tha se vendimet i merr PD-ja zyrtare, ajo që njihet nga gjykata.
“Një grup parlamentar vendos mblidhet dhe vendos të shkarkojë kryeministrin e vendit. Grupi parlamentar o është pjesë e strukturave të partisë ose është strukturë krejtësisht autonome. Nëse është autonomi grupi i PS çohet sot dhe largon Edi Ramën si kryeministër”, tha ai.
Ndonëse Kuvendi Kombëtar i PD e ka shkarkuar si kryetar grupi, dhe në një kohë që Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e ka thënë fjalën e tij mbi këtë vendimmarrje, Bardhi tha sot se në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PD, do të heqë Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar të Reformës Zgjedhore dhe në vend të tij, do të vendosë mbështetësin e Berishës, Oerd Bylylbashin.
Avokati Përparim Çaça tha se partitë e vogla në Shqipëri nuk lulëzojnë dhe një fakt kryesor që ndikon sipas tij është reforma zgjedhore. Ai u shpreh se e djathta do të jetë gjithmonë e ndarë mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, pavarësisht se njëri mund të ketë një pjesë shumë të vogël.
“Aksionin opozitar e shikoj si diçka pozitive. Tani cfarë ndodh. Po të shikoni rezultatet e sondazhit është 31.1% që faktikisht nuk do të votonte fare. E djathta do ndahet midis Berishës dhe Bashës pavarësisht se sa pjesë do të ketë. Partitë e vogla në Shqipëri nuk lulëzojnë, nuk shpërthejnë. Faktori kryesor pse kjo ndodh është reforma zgjedhore. Ne kemi një problem shumë të madh si popull për të përqafuar këto parti që kanë një problem me vete, që janë pa ideologji nuk kanë bosht”.