Në konferencën për shtyp ndërsa komentonte rastin e Vlora Hysenit, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi u ndal edhe te ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, së cilës iu sekuestruar edhe një tjetër vilë e dyshuar se e kishte fshehur sërish në emër të Igli Tares. Bardhi pyeti Ramën se çfarë do të bëjë me Ballukun, tashmë që pozita e saj përballë drejtësisë është rënduar. Pyetje i drejtoi edhe për akuzat për trafik armës përmes kompanisë KAYO, duke pyetur nëse Rama e njeh izraelitin Ron Yeffet.

Pjesë nga deklarata e Gazment Bardhit

- Me akuzat për korrupsion ndaj Belinda Ballukut çfarë ke ndërmend të bësh? I ke dëgjuar apo edhe për këtë nuk ke dijeni? A nuk ishe ti që e mbrojte me votë në Kuvend, duke dalë garant se ajo nuk ishte e korruptuar? Po tani që janë bërë publike vila të saj luksoze, pse hesht, pse nuk flet, pse nuk na shpjegon se ku shkoi garancia dhe mbrojtja politike që i ofrove me votat e tua në Kuvend?

- Po Ron Yeffet, e njeh? Ke dëgjuar dhe di gjë se çfarë po bëhet me KAYO-n? A ka aktivitet dhe prodhim armësh sipas qëllimeve të deklaruara, apo vetëm merr para nga Buxheti i Shtetit njëlloj si inceneratorët që nuk ekzistojnë? As për këtë nuk di gjë? Do ta mësosh vetëm kur të ketë hetime apo arrestime dhe, sipas këtij modeli që kemi parë, do të përsërisësh se përgjegjësia është individuale?

- Po për tenderin e fushave naftëmbajtëse që, sipas akuzave dhe dokumenteve të bëra publike, McGonigal ta kërkoi në këmbim të sulmit të sajuar ndaj opozitës, pse nuk flet? A ta kërkoi ai si pjesë të një marrëveshjeje për atë që ti i kërkove: sulmin e orkestruar me shpifje ndaj opozitës? Pse nuk flet për këtë? E fitoi tenderin nga qeveria jote kompania që kërkoi McGonigal, apo jo? A u zbatua ligji apo u shkel? Dil dhe shpjegoju shqiptarëve.

Dje na deklarove se nuk është e vërtetë që ti ulesh me biznesmenë dhe se ju jepni copa Shqipërie. Ashtu?

- Po Alabari, si e fitoi truallin mbi Portin e Durrësit? Me konkurs apo me ligj special dhe me përzgjedhje personale tënden?

- Po Ron Yeffet, si hyri në biznes me KAYO-n? Me konkurs apo si mik i yti personal?

- Po turqit e Tunelit të Llogarasë, që na kushtuan 50 milionë euro, si i zgjodhe? Me konkurs? Apo shkove ti personalisht në Ankara dhe bëre marrëveshje ende pa u hapur tenderi?

- Po turqit e Aeroportit të Vlorës, si erdhën në Shqipëri? Me konkurs? Apo i përzgjodhe ti dhe detyrove biznesmenin Behgjet Pacolli të bënte marrëveshje biznesi me ta?

Shqiptarët duhet të të besojnë se je i pakorruptuar dhe se nuk di çfarë bëhet me aferat e ministrave të tu, meqë nuk kanë parë ende para shtesë në xhepat e tu? Po kush t'i kontrollojë xhepat?

Po edhe Belindës, deri më tani, para në xhep nuk i kemi parë. Por vila luksoze të fshehura kemi parë, sipas akuzave të bëra publike.

Edhe ty të kemi parë. Nga i pastrehë në vitin 2013, u shfaqe me saraje me vlerë mbi 1 milion euro në vitin 2014. Deklarove se i ndërtove me para borxh të marra nga një kompani ndërtimi. Por nuk dimë si e shlyeve borxhin dhe kur e shlyeve. E vetmja gjë që dimë është se, me ardhjen tënde në pushtet, biznesmeni që të dha borxhin për të ndërtuar sarajet është një nga biznesmenët që fiton më së shumti tendera, merr koncesione, ndërton resorte dhe përfiton pasuri publike. Dhe shumë prej këtyre, me firmën tënde direkte.


Lajmi kryesor:

Arresti ndaj Hysenit/ Bardhi-Ramës: Nuk dhe llogari, pse e vendose në krye të SHISH?