Bardhyl Londo: Kumbaro hoqi
shkrimtarët e mori përkthyesit

Bardhyl Londo: Kumbaro hoqi<br />shkrimtarët e mori përkthyesit
TIRANË - Ministra e re e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka nisur të jap vendimet e para për shkarkimet e punonjësve në dikasterin e saj, pa pasur ende në dorë vulën e institucionit që drejton. Me krijimin e qeverisë së re, Ministria e Kulturës ka dalë si institucion më vete, duke i shkëputur degët e tjera që ajo mbulonte, Turizmin, Rininë dhe Sportet. Pas ndryshimit të emrit të institucionit si rregull pritet edhe ndryshimi i vulës.

Por, edhe pse pa vulë ministrja Kumbaro ka bërë shkarkimin e tre këshilltarëve për Ministrinë e Kulturës; të Bardhyl Londos, Ylljet Aliçkajt dhe Lazër Stanit. Shkarkimi i tyre është bërë që në ditën e parë të punës. “Erdhi personi që mbulon burimet njerëzore duke u dridhur dhe na dha lajmin  e shkarkimit nga puna”, tregon shkrimtari Bardhyl Londo për “Shqiptarja.com”, duke komentuar se ai e priste shkarkimin, por gjykon gjestin sesi u shkarkuan tre shkrimtarët dhe faktin se me çfarë u zëvendësuan nga ministrja Mirela Kumbaro.
 
 
Zoti Londo, ishte një rastësi që u zëvendësuan tre shkrimtarë të njohur me tre përkthyes si këshilltarë për Ministren e Kulturës?

-Problemi i ndërrimit të këshilltarëve nuk është se nuk pritej nga unë, sepse këshilltarët janë staf politik edhe këtu ka një problem që dihet. Problemi është se me çfarë i zëvendëson.
 
Me cfarë i zëvendëson...! Pse është i përcaktuar në ndonjë rregullore se çfarë statusi apo begraundi duhet kenë këshilltarët e Ministrit të Kulturës?

-Varet nga ministri nëse kanë begraund apo nuk kanë begraund. Ne kemi qenë tre shkrimtarë këshilltarë të ministrit të mëparshëm të kulturës, por edhe me kontribut në publicistikë. Kemi qenë unë, Lazër Stani dhe Ylljet Aliçkaj. Dhe ne zëvendësuam që në ditën e parë që erdhi ministrja e re kulturës zonja Mirela Kumbaro. Që u zëvendësuam nuk ka asnjë problem, por problemi qëndron tek ata që zgjedh ministrja e Kulturës. Unë nuk e di se cilët janë ata dhe çfarë kontributi kanë dhënë në kulturë veç përkthimit. Njoh një përkthyes që përkthen nga bullgarishtja, Milena Selimin, ajo përkthen edhe nga maqedonishtja. Është një tjetër nga Tetova, shqiptar nga Maqedonia, që ka punuar në BBC, dhe një tjetër, c’rëndësi ka. Por unë nuk mund të them asnjë gjë tjetër, sepse kjo zgjedhje duket si një dëshirë e saj për t’i marrë. Të them të drejtën me përjashtim të Milenës që ka bërë ca përkthime, të tjerët si di fare se çfarë kanë bërë e çfarë janë.
 
Sa e vështirë është detyra e këshilltarit të ministrit. Çfarë roli keni pasur ju konkretisht?
Roli i këshilltarit nuk është aq i lehtë, ai duhet të jetë i dobishëm për orientime për politikat e librit, për vlerat e tij, për trashëgiminë kulturore që është një nga më të rëndësishmet për një drejtues të Ministrisë së Kulturës. Dhe ketë punë unë nuk e kam bërë vetëm. Pra unë nuk e kuptoj dot sesa të përfshirë janë këtë përkthyes në rastin e trashëgimisë, që është një fushë shumë e zgjeruar dhe problematike. Pra mes këshilltarëve nuk ka asnjë që mund të orientojë për trashëgiminë kulturore. Trashëgimia lidhet jo vetëm me vlerat në vetvete, por edhe me çështje të rëndësishme kombëtare. Nuk e di se çfarë do bëjnë këta këshilltarë që ka zgjedhur ministrja. Përkthyesit librin ndoshta e njohin shumë mirë, por për të tjerat sesi do të bëjë ministrja është punë e saj...
 
Çfarë marrëdhënie keni pasur ju vet me ministren e re, e e keni njohur më parë?
-Si nuk e kemi njohur. Madje ne shkrimtarët duke qenë në rolin e këshilltarit të ministrit të kulturës e kemi përfshirë atë në jurinë e përkthimeve, duke e ditur se e përfaqëson mirë këtë fushë. Por për këshilltarët e saj ajo kështu ka vendosur dhe nuk e di si do të dalë kjo punë. Por për të qenë i sinqertë nuk kam besim se do të dali mirë. Populli thotë: “duket dielli që në mëngjes”. Unë shpresoj të funksionojë mirë, por gjestet e para të saj si ministre mua më kanë lënë të habitur, sepse mënyra sesi ajo na pushoi nga puna, pavarësisht se si shkarkim nuk ka ndonjë problem të madh sepse post politik është dhe kjo pritej, por me ata që na zëvendësoi ne, edhe pse nuk dua të shprehem kështu, për këta persona kam shumë dyshime se ata nuk janë të provuar fare në këtë mision, absolutisht. Unë kam shumë dyshime se ata do ta bëjnë këtë punë.
 
Ju u shprehët se mbetët i fyer nga gjesti, prisnit një gjest më miqësor si të njohur dhe bashkëpunues kur ishit në detyrën tuaj?
-Shenjat  para të gjesteve të saj nuk më pëlqyen, se ajo sa erdhi bëri një urdhër dhe nuk e dinte në fakt që s’na pushonte dot neve, sepse se kishte akoma vulën, sepse ishte ndërruar emri si Ministria e Kulturës nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ishte më parë. Pra vula nuk është akoma gati. Por kjo është puna e saj.
 
Pra, u zbatua urdhri i ministres pa u vulosur doni të thoni?
-Absolutisht pa u vulosur. Thjesht urdhrin e saj erdhi na e komunikoi ai i burimeve njerëzore. Dhe ai erdhi duke u dridhur dhe tha: “Më duhet ta bëjë unë këtë punë. Më ka dhënë urdhër ministrja”. “Po mirë, -i thamë, edhe unë edhe Lazër Stani, -të ka dhënë urdhër, ti do zbatosh urdhrin, nuk është ndonjë problem i madh.
 
E ka marrë apo nuk e ka marrë vulën e re Ministrja e Kulturës?
-Ky është problemi se nuk ishte marrë vula fare, absolutisht dhe megjithatë ministrja e bëri pa vulë pushimin nga puna.
 
Po drejtori i turizmit qëndron akoma aty, tani që u nda kjo degë. Kush ia vulos shkresat?

-Aty është se problemi, se duhet të bëhet organika e re, të bëhen të gjitha, të bëhet vula e re. Nuk ka lëvizur asnjë gjë nga degët që ka pasur MTKRS. Asnjë gjë nuk ka ikur prej andej. Nuk ka problem te heqja jone, por tek gjesti dhe personat që bëjnë këshilltarin. Që të bëhet organika e re, duhet të aprovohet në këshillin e ministrave në parlament etj, do vazhdojnë këto punë. Mendoj se deri nga tetori do vazhdojë. Mendoj se nxitimi për shkarkimet bëhet sepse në tetor aplikohet ligji i ri i BE-së që administrata nuk shkarkohet....


Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024