Më shumë se sa një grabitje klasike, veprimi i ndërmarrë nga Bardhyl Fusha pak para mesdite, të enjten, duket të ketë qenë një akt në kushte dëshpërimi. Në dëshmitë e tij të para efektivëve, ai ka folur për një situatë financiare problematike, me sipërmarrjen e tij në fushën e shërbimeve të ndërtimit. Afro 70 milionë lekët të vjetra, ai thotë se i kishte detyrime të papaguara punonjësve të tij.
Nga një hulumtim i Report TV, Fusha rezulton të jetë administrator i “Danieli Millenium”, shoqëri e themeluar në shtator të vitit 2018, e që ofron shërbime në ndërtim. Pronar është djali i tij. Shoqërisë i janë vendosur 5 herë masa të sigurimit të detyrimit tatimor për të mos lejuar tjetërsimin e pasurive të patundshme. Sipas të dhënave financiare, prej vitit 2023, ajo është me humbje ose pa aktivitet.
Bardhyl Fusha rezulton me të kaluar, dhe në një tjetër kompani, ‘2D Construction’, nga e cila u shkëput gradualisht duke i shitur aksionet në 2 momente të ndryshme.
Me origjinë nga Gramshi, Bardhyl Fusha, jeton në Tiranë me familjen në një banesë me qira. Për grabitjen, ai ka zgjedhur filialin e bankës, ku ai shkonte shpesh për të kryer pagesa. Ka parkuar aty pranë e ka hyrë brenda bankës. I pamaskuar, ka nxjerrë nga çanta që kishte me vete, kallashnikovin, armë që siç ka treguar se e mbante që nga viti 1997.
Një qitje e vetme, në dysheme, dhe është mjaftuar me paratë e njërës prej arkave, 8 milionë lekë të vjetra. Ai ka nxituar të largohet, por është përballur në dalje me dy punonjësit e policisë. Asnjë rezistencë. Menjëherë i është përgjigjur thirrjes së policëve që i drejtuan pistoleta dhe është dorëzuar.
Komente












