Restorante dhe baret në vend, nëpërmjet shoqatës "Bar Restaurants dhe Club" i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama që të rishikojë disa nga masat anti-COVID që janë në fuqi.
Nëpërmjet një letre drejtuar Ramës, ministrit Arben Ahmetaj dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ata shprehen se kanë pasoja "të pakonceptueshme" si rezultat i pandemisë së COVID, për shkak të rënies së xhiros
Baret dhe restorantet kërkojnë rishikim të orarit për lejimin e muzikës, që është përcaktuar deri në orën 22:00 dhe po ashtu edhe të mbylljes së aktivitetit të lokaleve, që tani lejohen deri në orën 23:00.
"Kërkojmë rishikimin e orarit të muzikës pasi nuk mendojmë që qytetarët duhet të edukohen me muzikën e betoniereve që punojnë orar pa orar. Rishikimin e orarit të mbylljes së aktivitetit tonë pasi kjo mbyllje ekziston për bllokun e qendrën e qytetit dhe për sheshet e koncertet nuk ka as orare dhe as pengesa në grumbullime masive", thuhet në letrën dërguar kryeministrit Rama.
Po ashtu ata kanë kërkuar edhe marrjen e masave lehtësuese si uljen e TVSH-së në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agroturizmit.
Një ditë më parë, ishte Unioni Turistik që i dërgoi një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të parë mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të masave anti-COVID.