ITALI - Ndërron jetë në spitalin e Barit në Itali, ish-i burgosuri politik Lirak Bejko, i cili u vetëdogj më 10 tetor gjatë kohës që ish-të përndjekurit zhvillonin grevën e urisë.
Lajmi u konfirmua nga Gjergj Ndreca, ish-grevist, i cili tentoi i pari të vetëflijohej duke i vënë flakën trupit të lyer me benzinë.
Ndreca tha për Tv A1Report se miku i tij, Lirak Bejko ndërroi jetë sot rreth orës 11:00 në spitalin e Barit ku mori kurim 2 ditë pasi i vuri flakën vetes në shenjë proteste kundër indiferencës së qeverisë ndaj kërkesave të ish-të përndjekurve politikë.
Burime nga spitali i Barit bënë të ditur se javën e kaluar Lirak Bejko i ishte nënshtruar një operacioni të dytë. Por pas tij Bejko ka pasur komplikacione, dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar, derisa sot ndërroi jetë.
(Në foto, [majtas] Lirak Bejko [djathtas] Lirak Bejko i shtruar në Spitalin e Barit, i fashuar pasi kishte plage të rënda djegieje) VETEDJEGIA E BEJKOS ME 10 TETOR
Mesditën e 10 tetorit Lirak Bejko doli jashtë çadrës dhe pasi leu trupin me benzinë i vuri flakën vetes. Policë dhe miq të tij tentuan t'a shpëtonin por flakët kishin përfshirë gati 70 % të trupit. Bejko u shtrua në qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Dy ditë më pas, (12 tetor) me ndërmjetësimin e PS-së, u ndërmor udhëtimi dhe transportimi për në Spitalin e Barit në Itali, ku Bejko do të ndërmerrte një mjekim më të specializuar.
Një ditë më pas, (13 tetor) në një intervistë ekskluzive për Tv A1Report, mjekët italianë që ndiqnin nga afër gjendjen shëndetësore të Lirak Bejkos, folën për djegie në një sipërfaqe të madhe të trupit dhe mbi të gjitha për rrezik të lartë të infeksioneve, çka e bënte të rëndë gjëndjen shëndetësore të tij. VIDEO - GJERGJ NDRECA FLET NGA SPITALI PER MIKUN E TIJ LIRAK BEJKO