Pas 8 vjetësh, Barroso u prit në orën 9:00 nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme me tapet të kuq e me himnin e Bashkimit Europian dhe të Shqipërisë në prani të ministrave të kabinetit Rama.
Në një konferencë për mediat me kryeministrin Rama, pas takimit që çeli vizitën e tij zyrtare në Tiranë, Barroso tha se palët politike duhet të bëjnë gjithçka për të mbështetur konsolidimin e demokracisë në vend, tashmë që me marrjen e statusit, integrimi është objektiv më i arritshëm. Ai tha qartë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe për këtë ai tha që nuk ka asnjë skepticizëm nga institucioni që ai përfaqson.
“Nga ana e BE-së kur shohim Shqipërinë, tani pas statusit, njerëzit duan të shohin nëse është problem, dhe një vend i polarizuar mund të shihet si problem për integrimin. Prandaj mesazhi im, do tu them edhe opozitës, konsensusi minimal duhet arritur sa i përket integrimit, dhe këtu kjo është, por edhe cilësia në një vend demokratik është një çështje që do të shihet me vëmendje për arsye se aderimi i Shqipërisë në BE është një objektiv më i kapshëm. Randaj ju duhet të bëni çdo gjë që të mbështesni konsolidimin e demokracisë në vend”, u shpreh presidenti i KE-së.
Kryeminitri Edi Rama e cilësoi të veçantë vizitën e Barrosos në Shqipëri, kur siç theksoi ai, u bë në një moment të rëndësishëm për Shqiperinë, siç është marrja e statusit të vendit kandidat. Kryeminitri shqiptar u zotua për përmbushje të reformave, sic është ajo territoriale dhe reforma në drejtësi.
Në fund të konferencës Barroso, Rama, Gjosha, Bushati dhe Kumbaro bënë një fotografi simbolike me dosjen e, “Created Europe” të cilën Barroso e solli me vete, një program të ri ku Shqipëria përfshihet dhe që i jep mundësi të gjithë dashamirësit të kulturës të shohin përtej.
....
Axhenda e Barrosos vijoi me një takim me kryeparlamentarin Meta në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në seancën në Parlament Barroso mbaji një fjalim në prani jo vetëm të mazhorancës, por edhe të opozitës e cila pas dhjetë ditësh bojkot për shkak të përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha u rikthye për të ndjekur presidentin e Komisionit Europian.
Rreth orës 15:00 kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Bashën ka pritur në një takim në ambientet e bashkisë së Tiranës presidentin e Komisionit Europian. Ajo çka ka përmbyllur axhendën e vizitës së Jose Manuel Barrosos ka qenë konferenca e mbajtru në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, gjykatë kjo e ndërtuar me fondet e BE-së, ku theksi u vu në reformën në drejtësi, edhe si një nga prioritetet kyçe në rrugën drejt integrimit europian të vendit.
Konferenca Barroso-Rama
Barroso: Një vend i polarizuar, problem për BE
Barroso ishte i qartë kur tha se për këtë duhet konsensus politik, në kushtet kur siç tha ai, ka një polarizimi të klimës politike në vend.
“Normale është që në politikë të ketë pozitë dhe opozitë, por problemi është se nuk ndihmon vendin tuaj kjo situatë kaq e polarizuar. Nga ana e BE-së kur shohim Shqipërinë, tani pas statusit, njerëzit duan të shohin nëse është problem, dhe një vend i polarizuar mund të shihet si problem për integrimin. Prandaj mesazhi im, do tu them edhe opozitës, konsensusi minimal duhet arritur sa i përket integrimit, dhe këtu kjo është, por edhe cilësia në një vend demokratik është një çështje që do të shihet me vëmendje për arsye se aderimi i Shqipërisë në BE është një objektiv më i kapshëm. Randaj ju duhet të bëni çdo gjë që të mbështesni konsolidimin e demokracisë në vend”, u shpreh presidenti i KE-së
Rama: Do udhëheqim, s’do bëjmë opozitën të bjerë në sevda me ne
Për kryeministrin Rama, opozita i ka të gjitha mundësitë për bërë pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme për vendin, por nuk mund të jetë objektiv i mazhorancës që të bëjë opozitën ta “dojë me patjetër”, siç u shpreh Rama.
“S’mund të kemi objektiv opozitën që të bjerë në sevda me ne. Duhet nënvizuar që ne na ndihmon fakti që deri një vit më parë ishim në opozitë dhe do t’i qëndrojmë asaj që kemi thënë, opozita nuk do të vuajë atë që vuajtëm ne në opozitë. Dhe ne nuk do të bëjmë gabimet e pararendësve, por do të nxjerrim mësime. Ju jeni dëshmitarë që në momente të rëndësishme, qeveria nuk mori daullet për të treguar që këtë e bëmë ne. Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithëpërfshirës në njohjen e meritave të gjthkujt për arritjen e derikëtushme. Në fund të ditës, jemi bërë për të udhëhequr jo për të bërë opozitën të na dojë patjetër. Sot bashkë me Presidentin Barroso do të jemi në Galerinë Kombëtare, dhe aty kemi ftuar edhe opozitës, që të kemi një moment ndarje bashkarisht me Barroson, gjëra këto të paimagjinueshme deri një vit më parë”, tha kryeministri Rama.
Barroso: Mos e politizoni aksionin e Lazaratit, vijoni me sekuestrimin e aseteve
I pyetur për operacionin e Policisë së Shtetit në fshatin e Lazaratit, i cili tashmë i është kthyer shtetit, Barroso tha se kjo masë e Shqipërisë u njoh nga Bashkimi Europian. Por sipas tij, lufta ndaj drogës nuk duhet të politizohet dhe aksioni duhet të vijojë më tej me sekuestrimin e aseteve.
“Ne e dimë se cila është situata për trafikun e drogës, dhe kjo situatë ka qenë arsye për shqetësim, problemi i prodhimit dhe trafikut të drogës ka qenë serioz. Autoritete kanë marrë masa dhe këto janë njohur, mbi të gjitha aksioni në Lazarat. Unë besoj se Shqipëria duhet të kalojë përtej këtyre përpjekjeve dhe të sekuestrojë asetet, dhe të ketë bashkëpunim me Interpolin. Gjithashtu dua të bëj thirrje lufta ndaj drogës të mos politizohet, dhe policia të mos sulmohet nga asnjë parti”, tha presidenti i KE-së.
Barroso: Statusi i Shqipërisë në të mirë edhe të rajonit
Presidenti i Komisionit Evropian, teksa uroj Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat, tha se ky është një lajm i mirë jo vetëm për vendin tonë por për të gjithë rajonin. Sipas Barrosos kjo tregon aspiratën e vendeve të rajonit për integrimin në BE dhe nga ana tjetër edhe vëmendjen e unionit për integrimin e vendeve të rajonit.
“Jam shumë i lumtur që gjendem këtu sot, por ju uroj për vendimin e BE për marrjen e stautist. Dhënia e statusit ë cilin KE e kishte rekomanduar dhe është pranuar nga vendet e BE-së në takimin e krerëve të BE-së është një sukses për Shqipërinë, por është edhe një lajm i mirë për rajonin. Kjo tregon se vendet e rajonit synojnë integrimin dhe se BE i mban pranë dhe mbikqyr reformat e bëra nga vendet e rajonit. Ne kemi qenë gjithnjë në anën tuaj dhe do të vazhdojmë të jemi pranë jush.” nënvizoi Barroso
Barroso: Statusi falë punës së bërë nga qeveria këto muaj
Barroso theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat vjen pas progresit dhe reformave të ndërmarra nga qeveria këto muajt e fundit. Ai tha se reformat e qeverisë duhet të vijojnë për integrimin e plotë të vendit në unionin evropian, duke shtuar se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.
“Dua tju uroj për statusin pasi ky është suksesi juaj i përbashkët, njihen reformat e marra nga qeveria juaj, si dhe punës së bërë nga Shqipëria. Kjo është një detyrë kombëtare, dhe unë besoj se detyra për integrimin e BE-së duhet parë përtej partive të ndryshme të cilat mund të japin kontributin e tyre për këtë synim. Unë diskutova me kryeministrin Rama hapat e ardhshëm dhe sfidat që ka Shqipëria përpara. Kam besim se kjo do t’i japë Shqipërisë një shtysë të re. Që Shqipëria të integrohet duhet të përqëndrohet në reformat kyç, dhe jam i kënaqur që qeveria i ka këto prioritete, dhe duhet të jetë një punë gjithëpërfshirëse e të gjitha palëve. Rekomandoj që të punohet në mënyrë. Nuk duhet të ketë dyshime për të ardhmen e Shqipërisë në BE.” tha Barroso
Rama: Faleminderit Barroso! Na kujton detyrat e shtëpisë dhe asiston në to
Kreu i qeverisë Rama shprehu falenderime të vecanta për mbështetjen që Barroso i ka dhënë Shqipërisë në procesin që u “kurorëzua” me marrjen e statusit të kandidatit në BE, ndërsa vlerësim shprehu dhe për eurokomisionerin Fyle. Ai tha se statusi nuk shihet si një trofe nga mazhoranca, por si një përgjegjësi e shtuar për të cuar në fund, reformat, sipas tij të shtyra e të zvarritura ndër vite.
“E falenderoj për mbështetjen e fortë pa asnjë lëkundje për Shqipërinë në procesin që u kurorëzua me marrjen e statusit të vendit kandidat. Fatkeqësisht vizita e parashikuar 3 vite më parë nuk u realizua, por fatmirësisht doli më mirë sepse u krijua mundësia që Barroso ta vizitojë Shqipërinë si një vend që ka një status të veçantë, atë të kandidatit për në BE. Ky ka qenë një proces i gjatë, jo i lehtë, që s’do të ishte kurorëzuar me sukses pa punën dhe rezultatet e dukshme të qeverisë sonë në këto 9 muaj. Por nga ana tjetër nuk është një process që i takon vetëm këtyre 9 muaj, po puna dhe rezultatet në vite kanë qenë të domosdoshme. E falenderova për ndihmën, duke na kujtuar për detyrat e shtëpisë dhe duke asistuar që këto detyra t’i kryejmë sa më mirë. Falenderim i vecantë edhe mikut të mirë të gjithë shqiptarëve eurkomisionerit Fyle, që udhëhoqi me vendosmëri dhe vullnet të mirë gjithë procesin e vetëdijësimit të anës sonë, të klasës politike për sfidat dhe rrugët e kurorëzimit që u bë i mundur me statusin”, tha Rama.
Rama: Statusi, jo trofe. Do të mbyllim reformat e zvarritura në vite
“E sigurova presidentin e KE se nuk e marrim statusin si një trofe, as një arritje të njëanshme, apo një arsye për të pasur një pozicion që ndan, por e marrim statusin si një vlerësim për çka kemi bërë dhe një shkallë të re përgjegjësie për çka na mbetet të bëjmë dhe që padyshim është pjesa më e vështirë. Kemi ende detyra të vështira shtëpie për të realizuar për anëtarësimin. Kthimin e ekonomisë në shinat e një progresi të qendrueshëm, e sigurova për vendosmërinë tonë për të kryer të gjitha reformat e zvarritura vit pas vitit. Të kryejmë njëherë e më parë reformën territoriale. Jemi të përkushtuar të krijojmë kushtet për gjithëpërfshirje të plotë dhe cilësore”, tha Rama.
(Në foto: Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Kryeministri Edi Rama) Foto të tjera
Barroso pritet me ceremoni para kryeministrisë, takim me Ramën
Ora 09:00 Me një ceremoni zyrtare, presidenti i Komisionit Europian, Barroso, u prit në ambjentet e kryeministrisë, ku nisi vizitën zyrtare në Tiranë në një takim me kreun e qeverisë Edi Rama.
Rama: Ditë e shënuar. Shqipëria me kartivizitë të re!
Ora 08: 15 Ditë e shënuar është vlerësuar nga kreu i qeverisë shqiptare, vizita në Tiranë e Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. “Tanimë Shqipëria me kartvizitë të re”, thotë Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri njofton dhe konferencën që do të mbajë me Barroson menjëherë pas takimit me dyer të mbyllura që do të zhvillohet në kryeministri.
“Ditë e shënuar sot. Mikpresim Presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso.Tanimë Shqipëria me kartvizitë të re. Konferencë për shtyp në orën 10:15 LiveTv”, shkruan Rama në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.
Dite e shenuar sot.Mikpresim Presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso.Tanime Shqiperia me kartvizite te re.Konfshtyp10,15liveTv
— Edi Rama (@ediramaal) June 30, 2014
(Në foto: Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Kryeministri Edi Rama) Foto të tjera
Axhenda e Presidentit të Komisionit Europian në Tiranë.
Ora 9.00 nis ceremonia e pritjes së Presidentit Barroso, në Kryeministri.
Ora 10.00 do të zhvillohet Konferenca për shtyp e Kryeministrit Rama dhe presidentit Barroso.
Në orën 11:00 Barroso do të takohet me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta
Barroso pas takimit me kreun e Kuvendit, do të mbajë një fjalim në Parlament.
Në orën 12:00 presidenti Bujar Nishani pret Presidentin e Komisionit Europian, Barroso
Në orën 15: 15 Barroso do të mbajë një konferencë në Gjykatën e Krimeve të Rënda
Policia: Nga ora 09:00-10:00, bllokim i trafikut rrugor
Vizita e Presidentit të Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso në Tiranë sot do të sjellë edhe bllokim të akseve të ndryshme rrugore.
Kështu sipas njoftimit të bërë nga policia, ditën e nesërme, nga ora 09:00-10:00, do të ketë edhe bllokim të trafikut, ku nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve nga Ish-Hotel Dajti deri tek Kryeministria në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky është edhe orari ku në bazë të axhendës së takimeve të zyrtarëve të shtetit shqiptar me Barroson, do të bëhet edhe ceremonia e pritjes zyrtare e Presidentit të KE-së, në Kryeministri
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)