Basha: 100 ditëshi, pasiguri
varfërim dhe largim nga Europa

Sot këtë të dielë, dhe kjo ndoshta është e vetmja qeveri e botës që duke shënuar 100 ditët e saj nuk mund të thotë dot se çfarë ka bërë, por vetëm se çfarë ka zhbërë. Duke u sjellë si formacion pushtues, ekzekutivit të Edi Ramës, pas 100 ditëve, i vjen era barut, por nuk ka asgjë të mirë për të shënuar.

100 ditë nuk janë shumë, por janë të mjaftueshme për të dhënë një shenjë pozitive, një frymëzim, një akt çlirimi, që do të sillte një sinjal në ekonomi, do të induktonte dritë në shoqëri, apo që do të sillte kurs zhvillimi.

E kundërta ka ndodhur. Çdo shqiptar ndihet dhe jeton sot më keq, përveç qeveritarëve, dhe më e rëndë është se Edi Rama ka goditur në mënyrë fatale shpresën dhe optimizmin e tyre.

Në të gjitha ballafaqimet e rëndësishme që ka pasur në këto 100 ditë, Edi Rama është refuzuar. I tha JO rinia para zyrës së tij, i tha JO Gjykata Kushtetuese, i tha JO Bashkimi Europian. Ende pa kaluar në kapërcyellin e vitit tjetër, ka humbur 3 herë konsensusin më të rëndësishëm. Të rinisë dhe qytetarëve të lirë të këtij vendi, të ligjit, të familjes europiane.

Kush e kishte menduar se një kryeministër mund të kishte një bilanc kaq negativ në 100 ditë, as ne, që e njohim Edi Ramën.

Ndërkohë, siç bëri dhe sot, vazhdon të qeverisë me regji qendrore, sepse tjetër përmbajtje nuk ka dhëndërimi i tij përveç dukjes televizive.

Krimi dhe pasiguria e jetës është dy dhe trefishuar. Administrata është gjymtuar. Ekonomia është në ditët më të errëta. Këto janë kolonat e bilancit 100 ditor të Edi Ramës.

Demokracia, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria nën kërcënim. Ekonomia drejt rrënimit. Shqiptarët drejt varfërimit. Kjo është ajo çfarë bëri dhe ç’projekton për vitin e ardhshëm qeveria e re. E nisi me kodin e heshtjes e të mashtrimit dhe i mbylli 99 ditët me kodin e heshtjes e të mashtrimit. E nisi me shkeljen e konsensusit dhe i mbylli 99 ditët pa asnjë bashkëpunim. E nisi me shkelje flagrante të ligjit dhe po i mbyll 99 ditët me shkelje flagrante të ligjit.

E nisi me kërcënim për opozitën, dhe i mbylli 99 ditët me kërcënime, sharje dhe shpifje ndaj opozitës. E nisi me presione e shantazhe ndaj institucioneve të pavarura, dhe po mbyll 99 ditët me shantazhe ndaj tyre. Në fushatë premtoi krejt të kundërtën. Në qeveri po bën ç’kishte ndër mend, por jo ç’premtoi. Premtoi rend, siguri për jetën e pronën por policinë e ka shndërruar në detashment të partisë, që merret me ndërtime e baste, bilance kontabël, fatura e gjoba. Veç me rend e siguri nuk merret. Emëroi kund ligjit militantë partiakë në të gjithë kupolën drejtuese. Brenda një nate pezulloi, e me pas përjashtoi e shkatërroi strukturën e suksesshme e të mirënjohur ndërkombëtarisht të policisë për hetimin e krimit ekonomik, financiar e të korrupsionit. Bëri çorap strukturën organizative të policisë së rendit, atë rrugore, e të ndërhyrjes së shpejtë, kriminales, etj. Pasojat janë të qarta e ne sytë e të gjithë shqiptarëve. Krimi vazhdon e rritet, kërcënon jetën dhe pronën, nderin dhe dinjitetin, komunitetin dhe familjen, fshatin, qytetin, rrugët dhe rrugicat, shtëpinë, dyqanin, fabrikën, bankën, spitalin dhe shkollën, deri edhe brenda ne rajonin e policisë a në burgjet e sigurisë së lartë. Trafiqet e klandestineve e drogës kanë nisur e janë intensifikuar dhe bandat janë rizgjuar. Nën kërcënim është edhe udhëtimi pa viza në Europë. Sulmoi Presidentin e Republikës, i ofendoi me të tijtë përreth. Me kompleksin e mëkatarit ndaj ligjit i është turrur prokurorisë dhe gjykatave, gjoja për t’i reformuar e në fakt për t’i kontrolluar. I janë turrur Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ISNTAT-it, AMA-s, çdo institucioni tjetër të pavarur për t’i nënshtruar e për t’i marrë nën kontrollin e partisë e jo të ligjit.

Propozon ndryshime thelbësore ligjore të kodeve për gjoja luftë kundër korrupsionit e për këtë merr kundërshtimin e hapur të ShBA, BE, OSBE, që i thonë se kjo jo vetëm që nuk lufton korrupsionin por komprometon edhe luftën kundër krimit të organizuar. Hedh në qarkullim teza të shkrirjes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, e kërcënon gjyqtarët, ndërsa injoron e shkel haptazi vendime gjyqësore të formës së prerë duke na kthyer mbrapsht në gjendjen e shkeljeve flagrante të të drejtave themelore te njeriut: prezumimin e pafajësisë, të drejtën e pronës, të drejtën për t’u dëgjuar para marrjes së një vendimi administrativ që cenon të drejtat e fituara.

Prish konsensusin për administratën e për më tepër, me mënyrën më të mbrapshtë e me instrumentin me diabolik, aktin normativ, me të cilin ndryshoi brutalisht një ligj që kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Kushtetuta qartësisht ia ndalon, po ai nuk pyet. E mori mësimin nga Gjykata Kushtetuese. Por përsëri vazhdon, me paligjshmëri të largojë në shkelje flagrante të të gjitha ligjeve të vendit, me mijëra burra e gra, të rinj e të reja, e të mbushë administratën me anëtarë të klaneve e rretheve të ngushta të bashkëpunëtoreve, fis e farefis, administratorë biznesesh private të koçove e moçove. Nuk organizon konkurse kur këtë e urdhëron ligji po shfaqe fiktive për drejtoritë arsimore me konkurrente të mbledhur nga ekipet elektorale dhe militantët e celulave partiake. Nxjerr vendim qeverie për kompetenca antiligjore te Inspektoratit Ndërtimor, duke dhunuar të drejtat civile të qytetareve, të drejtat dhe kompetencat e qeverisjes vendore, pushtetin e gjykatave, procesin e rregullt ligjor për pronën. Ne emër të mbrojtjes dhe çlirimit të territorit, ndërmori ekspedita ndëshkuese, në shkelje flagrante te ligjeve dhe thellësisht diskriminuese e selektive.

Ndërmori një fushatë në shkallë të gjerë kundër lojërave të fatit. Premtoi e kërcënoi se të gjitha lojërat e fatit do të mbyllen. Në këtë skenar u përfshinë edhe interesa të pista bashkëpunëtorësh. Tashmë këtij aksioni i ka dalë boja. Lojërat e fatit u rikthyen edhe më shumë dhe më të fuqishme se më parë sepse sot kanë bekim kryeministror. Policinë e detyrojnë të sillet si bandë gjobëvënësish në shkelje të ligjit dhe të drejtave të njeriut duke i kërcënuar me vendin e punës nëse të ardhurat nga gjobat nuk janë në një shumë të caktuar.

Një vit e humbëm statusin për shkak të Ramës shef opozite. Gjashtë muaj humbën pardje me Ramën kryeministër. Kësaj radhe kishim maksimumin e shanseve, të gjitha kërkesat e plotësuara, të gjitha kriteret e arritura, përfshirë edhe zgjedhjet e lira e të ndershme për aq sa kishte në dorë qeveria jonë ndonëse ata manipuluan e blenë siç u faktua edhe në zgjedhjet e Korçës.

Ne pranuam rezultatin dhe dorëzuam paqësisht pushtetin. Gjithçka u vlerësua tejet pozitivisht nga Komisioni Europian. Duhej veç që gjerat të vazhdonin në drejtimin e duhur edhe këto tre muaj.

Statusin nuk na e dhanë. Fajin sipas kryeministrit e kishte opozita dhe Britania, Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka, etj. Të akuzosh partnerët europianë si ekstremistë a nën diktatin e ekstremizmit, kjo nuk është gjë tjetër veçse papërgjegjshmëri. Deklaratat e

partnerëve tanë që pasuan qëndrimin e Kryeministrit ishin më të ashprat që kemi dëgjuar ndonjëherë.

Opozita dhe shqiptarët u distancuan menjëherë nga retorika e papërgjegjshme. Miqtë dhe partnerët europianë e dine, madje dhe e kanë provuar në këto vite se ky nuk është qëndrimi i shqiptarëve.

Ndaj i bëj thirrje sot kryeministrit të vendit në emër të çdo shqiptari që e sheh integrimin europian si projektin më të madh të Shqipërisë, t’u kërkojë ndjesë miqve tanë .

Shqipëria nuk e kalon klasën nëse nuk e kalojnë kryeministri dhe qeveria e saj.

Shqipëria nuk pranohet nëse nuk pranohen kryeministri dhe qeveria e saj. Ky është rregulli që mbështet në logjikën e shëndoshë demokratike se qeverinë e zgjedh populli.

Vetëm Rama nuk ka kuptuar se shtyrja është një vendim i dhimbshëm i vendeve mike, që na duan brenda BE-së dhe jo jashtë tij, një vendim i diktuar nga dyshimet e mëdha që ka krijuar qeveria e tij në harkun e tre muajve.

Sepse standardet e tij të qeverisjes nuk janë standardet e Europës. Sepse qeverisja e tij nuk është demokratike.

Standardi i Europës është sundimi i ligjit. Standardi i Ramës gjithë këtë periudhë ka qenë dhe vazhdon të jetë “ligji jam unë”.

Standardi i i Europës është ndarja demokratike e pushteteve. Standardi i Ramës është sulmi ndaj institucioneve të pavarura, spastrimet me mendësi pushtuesi në administratën publike për të venë atje klientelen e tij politike-tarafore e tarifore.

Standardi i Europës janë zgjedhejt e lira. Standardi i Rama-Metës është blerja e zgjedhjeve.

Standardi i Europës dialogu, standardi i Ramës është monologu dhe arbitrariteti dhe shpërfillja e opinionit publik.

Standardi i Europës është trasparenca dhe përgjegjësia, standardi i Ramës është arroganca dhe ku rafsha mos u vrafsha.

Standardi i Europës është drejtësia e pavarur dhe ndëshkueshmëria e mbështetur në ligj; standardi i Ramës është hakmarrja e ulët politike, nxjerrja e inateve meskine personale me mjetet e shtetit.

Me ketë listë të kontrastit gjigandesk me standardet europiane Edi Rama mund të na garantojë vetëm për një gjë; që nuk na çon asnjë hap përpara drejt Europës, por vetëm prapa, gjithnjë e më larg saj.

Kurrë më parë marrëdhëniet tona me mikun dhe partnerin historik e strategjik, ShBA, nuk kanë pasur një kurs zhgënjimi të këtillë, si këtë herë, me krizën e vëtëprovokuar për armët kimike siriane. Çdo qeveri, demokrate a socialiste ka qenë e hapur, e ndershme dhe fjalëmbajtur. Kur situata diktonte JO, Shqipëria ka thënë jo të arsyeshme. E kur kemi thënë PO, i kemi qëndruar asaj deri në fund, duke marrë të gjitha masat sipas rastit konkret.

Këtë herë, Kryeministri tha një PO, pa menduar seriozitetin e çështjes dhe mundësitë e vendit, por vetëm duke përjetuar ëndrrat e tij të dimensionit personal ndërkombëtar. Në ditën e fundit, i vënë para përgjegjësisë nga populli i vet, që e la në errësire, i frikur nga humbja e pushtetit ende pa e shijuar, tha JO-në e turpshme, duke braktisur frontin e luftës së çarmatosjes me paqe të regjimit të Asadit, siç i pëlqente ta thoshte e duke mallkuar për këtë, popullin e vet me në krye opozitën. Natyrisht që, ne e njohim dhe e dimë se ai kështu do të sillej, dhe e paralajmëruam. Nuk është se e paragjykuam pasi e kemi parë se sa pak di, e sa i papërgjegjshëm është në marrëdhëniet ndërkombëtare që i trajton si raportet në partinë e tij.

Papërgjegjshmëria dhe amatorizmi i tij nisen nga rajoni e vijuan deri në OKB duke prekur dhe cënuar rëndë marrëdheniet me miqtë dhe bashkëpunëtorët historik të Shqipërisë. Beri gafa elementare në zyrat më të rëndësishme të botës, sa në OKB e sa në takime me përfaqësues të lartë të shteteve fqinje, si në rastin me Maqedoninë apo në përfshirjen e njëanshëm në fushatën e zgjedhjeve në Kosovë, ku fjalët dhe sjelljet e tij në vend që të ndihmojnë për të bashkuar kombin, siç edhe premton, nxisin ndarjet partiake e klanore.

Marrëdhëniet me partnerët tonë të përhershëm në rajon kërkon t’i personalizojë dhe t’i kundërvërë me partnerët e tjerë strategjike, duke ngatërruar konceptet e ligjësitë bazë në hapësire dhe kohë. Ne e dimë se nuk ka as patriotizëm e as vizion, por vetëm ego për pushtet në këtë marramendje. Ndaj edhe premtimet e tij të bujshme për bashkime doganore dhe bjerrje kufijsh i shkeli me këmbë, siç edhe ia vuri në dukje së fundmi Oda e Tregtisë e Kosovës, lidhur me akcizat e importeve nga Kosova.

Qeveria po mbyll 99 ditët e saj me paketën fiskale dhe buxhetore të 2014.

Se çfarë pakete fiskale e buxhetore do të ishte u pa që kur me akt normativ, që në ditët e para, ulën planin e të ardhurave me mbi 20% dhe gropën e thelluar qëllimshëm e mbushën me borxh.

Pasi folën për 600 deri 1 miliard euro “borxh të fshehtë”, lidhen një kontratë të turpshme për një gjoja auditim, auditim të standardit ndërkombëtar, sipas relacionit shpjegues për Kuvendin, por që doli se ishin veçse disa veprime aritmetike të denja për vitin e tretë të shkollës së mesme. Në fund, po vete u detyruan të shfryjnë shifrat e të vijnë në vlerësimet tona.

Ulën planin e doganave dhe lidhen kontratën me kompaninë, të cilën e paralajmëruan që pa bërë betimin e deputetit në Kuvend dhe ia fshehin edhe sot e kësaj dite Kuvendit dhe publikut termat konkrete të kontratës.

Zhbënë e vazhdojnë të zhbëjnë administratën tatimore e doganore, pasi emëruan, kunatat e kunetërit, ortaket ne biznes e trafiqe, derisa vodhën, ditët për diell edhe të gjithë bazën elektronike të të dhënave fiskale, një krim i cili cënon rendë konfidencialitetin e taksa- paguesve dhe besimin e tyre tek sistemi fiskal i vendit.

Zhbënë e vazhdojnë te zhbëjnë institucione të rëndësishme të shtetit për mbështetjen e sipërmarrjes.

Nën pretekstin e të ashtuquajturit “borxh te fshehte” për bizneset, rriten borxhin publik nga 62% ne 68 % te PBB por nuk dhanë asnjë kacidhe për biznesin.

Qanë me lot krokodili për personat me aftësi të kufizuar dhe hallexhinjtë por iu thanë se pagesat disamujore do t’ua japin vitin e ardhshëm.

Por nuk ngurruan të bënin rregullime dhe mobilime luksi për zyrat e Kryeministrit dhe shpurës se tij. Nuk ngurruan aspak te rrisnin me 30% qeverinë e po aq shpenzimet pa bukë te saj.

Bllokuan dhe/ose anuluan dhjetëra projekte te partneritetit publik e privat në energjetike dhe industri të tjera zhvilluese, prodhuese e punësuese duke shkelur me të dy këmbët, njëanshmërisht e brutalisht, të drejta të fituara.

Me kërcënime e presione të hapura a te sofistikuara detyruan shume biznese të mbyllen apo të reduktojnë aktivitetin dhë punësimin për t’u hapur rruge bizneseve personale duke u ekspozuar tërësisht ne konflikt interesi e duke keqpërdorur pushtetin.

Paketën fiskale e përgatitën ne fshehtësi dhe e dorëzuan 45 dite me vonese ne Kuvend. Komunitetit të biznesit, te cilit aq shume iu përgjëruan para zgjedhjeve i mbyllen derën.

Derën ia mbyllen edhe institucioneve te pavarura, qeverisjes vendore, grupeve shoqërore dhe te dy dokumentet me te rëndësishme ekonomike te shtetit ai plasën Kuvendit ne dere një të dielë dhjetori e kërkuan që në katër ditë të mbyllej gjithçka.

99 diteshin e tyre po e mbyllin me këtë pakete fiskale e buxhetore sa të rrezikshme po aq të paturp taksash te rritura, borxhi të tejfryrë dhe shpenzimesh pa vlerë.

Kryeministri premtoi lehtësim fiskal për 95% të taksapaguesve, pretendon se e realizoi me tejkalim ne 97% e ne fakt rendon me taksa, te drejtpërdrejta apo konsumi 100% te taksapaguesve ne qytet e fshat; rrogëtare e sipërmarrës; sipërmarrës te vegjël, te mesëm e të mëdhenj; te punësuar, te vetëpunësuar, te papune a pensioniste; te varfër, me pak të varfër; a jo të varfër; të pastrehë, me një shtëpi a me më shumë, këdo që lëviz me makinë, me furgon a autobus, këdo qe freskohet me një birre, qoftë edhe vendi, e që dredh një cigare.

As qe i bie ndërmend për fermerët, familjeve te të cilëve iu merr me rritje të taksave për naftë, cigare, shtëpi, sigurim shëndetësor trefishin e asaj qe ju jep me kacidhe përmes buxhetit.

Pensionisteve iu premton 1 a 2% indeksim për çmimet ndërsa vetëm me taksen e naftës, shtëpisë, cigare se nuk besoj,se ata sot 70 e kusur vjeç do ta lënë atë, u merr katërfishin e asaj qe ua jep me kacidhe.

Kujtdo që merr rrogën modeste deri në 300 mijë lekë në muaj, as që kujtohet se ajo në 2014 do gërryhet nga inflacioni e ca më shumë nga taksat e rritura

Atyre me rroge 400deri 1.3 milionë lekë në muaj u jep me lugë kafeje me shkallen e vet te përçudnuar progresive atë që ua rimarre me lugë të madhe me taksat e rritura të konsumit e inflacioni.

Godet rëndë me rritjen progresive të taksës për pagat mbi 1,3 milionë lekë në muaj, të gjithë kategoritë e profesionistëve, inxhinierë, menaxherë, financiere, bankiere, artistëve, gazetare, informaticienë që punojnë në sipërmarrjet private. Këtë e shet, për populizëm, si ndëshkim për zyrtaret e lartë të shtetit duke treguar njëkohësisht se nuk ka respekt për vetë shtetin.

Mashtron biznesin e vogël. Atij me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit, në tre të katërtat e vendit përveç në Tiranë e Durrës, ua vë taksë fikse 250 mijë leke ndërkohë që sot paguajnë shumë më pak.

Të tjerëve, atyre që xhirojnë 2-8 milionë lekë në vit, atë qe ua kursen si tatim fitimi ua rimerr me taksën e naftës e të ndërtesës.

Sipërmarrjen e mesme, afro 25 mijë, i rendon me taksën 15% të fitimit por i rënduar edhe me taksat e tjera të naftës dhe ndërtesës. E po të njëjtën gjë bën edhe me sipërmarrjen e madhe modernizuese e punesuese të vendit.

E mori qeverisjen me nje borxh 62% te PBB, e çoi ne 68% me akt normativ dhe po e çon ne 75% me ligjin e buxhetin 2014. Rrija neto e borxhit prej tij ne 3+12 muaj është 13% e PBB apo afro 1,6 miliard dollarë.

Ku po i çon paratë e shqiptareve?

Të gjithë e kemi pare projekt-buxhetin. Por as aktorët në këto shfaqe nuk arrijnë të artikulojnë dot të vërtetën. Nuk ka rritje rrogash, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka rritje investimesh, nuk ka rritje por ulje te fondit për te përndjekurit politike, për pronarët, s’ka legalizime falas, s’ka shëndetësi falas.

Çdo shqiptar ka të drejtë të pyesë me zë të lartë e protestues: Atëherë, ku shkojnë paratë e shqiptarëve z. Kryeministër.

E po kështu sipërmarrja shqiptare dhe e huaj në Shqipëri, profesionistet, akademia, kushdo ka të drejtë të pyesë me zë të lartë e protestues: Pse po e hedh ekonominë në humnerën e borxhit.

Çdo i papunë ka të drejtë të revoltohet sepse nuk sheh mundësi për asnjë vend të ri pune, e çdo i punësuar ka të drejtë të shqetësohet se mund të përfundojë shumë shpejt i papunë.

Ne, opozita, jemi te angazhuar, te dëgjojmë, te përcjellim e te fuqizojmë zërin e shqiptareve kundër varfërimit, ankthit dhe regresit ekonomik të familjeve të tyre e të ekonomisë së vendit.

Në monologun e tij kryeministrit iu shtuan sot dhe ministrat e tij.

Siç është bërë tashmë traditë, kryeministri dhe ministrat nuk mund të pyeten, të gjithë ftohen vetëm për t’i dëgjuar.

Për të qenë i sinqertë dhe i drejtë në gjykimin tonë, ka një gjë që kjo qeveri e ka bërë jo mirë, po shumë mirë këto 100 ditë dhe ajo është propaganda, Shou mediatik pjesë e se cilës ishte varieteja e sotme.

Por me rënien e perdes të gjithë në atë sallë, dhe jashtë saj, e dinë se në këto 100 ditë të qeverisjes Rama ka vetëm 3 arritje. JO-në e fuqishme të rinisë dhe gjithë njerëzve të lirë të

këtij vendi ndaj shpërfilljes dhe papërgjegjshmërisë së tij, JO-në e ligjit për antikushtetuetshmërinë e tij, JO-në e Bashkimit Europian për pabesueshmërinë e tij.

E në prag të këtij fundviti le të urojmë se këto tre JO do të bëjnë do të bëjnë të reflektojnë për JO-në e madhe ndaj paketës shkatërrimtare fiskale me të cilën çdo shqiptar do të paguajë më shumë e asnjë vend pune i ri nuk do të hapet, përkundrazi mijëra vende pune do të shkatërrohen. Përndryshe nuk mbetet asgjë tjetër përveçse të ngrihemi e ta nxjerrim nga flluska e vetëkënaqësisë me zërin e fortë të revoltës mbarëqytetare, për fatin e vendit, të çdo shqiptari, të fëmijëve të çdo shqiptari, që nuk do ta lëmë kurrë si telajo në duart e një kryeministri të papërgjegjshëm dhe të dështuar që në start. Faleminderit!

Redaksia Online

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit